Çfarë po ndodh në Gaza?! – Analistja e BBC, Lamis Andoni, tregon për SYRI TV, situatën e rëndë

Intervistë e gazetarit Bledian Koka të SYRI TV me znj. Lamis Andoni, analiste politike për BBC dhe Al Jazera, e cila jeton dhe punon në Bethlehem.

Bled Koka: Izraeli ka nisur një fushatë me arrestime masive kundër palestinezëve që marrin pjesë në protestat kundër agresionit izraelit, me ekspertë që thonë se më shumë arrestime priten në ditët në vijim. A mund të na thoni se çfarë thotë komuniteti ndërkombëtar për këto veprime të Izraelit?

Lamis Andoni: Ka dy lloje protestash. E para bëhet për tokën e Palestinës, që u bë pjesë e Izraelit në 1948. Arabët, të cilët nuk u dëbuan por qëndruan aty, po protestojnë kundër diskriminimit si dhe për veprimet ndaj palestinezëve nën zaptimin e izraelit në Bregun Perëndimor, Gaza dhe Jeruzalem. Vëzhguesit e të drejtave të njeriut i dënojnë këto veprime të Izraelit duke i cilësuar ato veprime diskriminuese dhe ndarjeje. Sipas ligjit ndërkombëtar, Jeruzalemi Lindor është i zaptuar, ashtu sikurse Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës. Ka pasur rezolutë të OKB-së kundër vendbanimeve izraelite në territorin palestinez, përfshirë edhe bllokadën e vendosur në Rripin e Gazës.

Koka: Pak pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit në Rripin  e Gazës, një numër i madh gazetarësh zbuluan se nuk kishin më akses në Whatsapp dhe Mesenger, një vegël kritike për t’u lidhur me burimin, redaksinë dhe botën përtej Rripit të Gazës. A keni ju ndonjë informacion se përse ndodhi kjo dhe kush ka gisht në këtë bllokim?

Lamis Andoni: Nuk kam dijeni se kush e ka bllokuar këtë radhë, por zakonisht izraelitët vendosin kufizime ndaj gazetarëve,  ka raste që i sulmojnë në mënyrë direkte, ashtu sikurse bombardimi i zyrave të Al Jazera-s gjatë raportimit të drejtpërdrejtë. U dhanë 10 minuta të largohen nga godina. Pra kjo konsiston me veprimet e izraelit për të ndalur palestinezët t’i tregojnë botës të vërtetën, sidomos tani me hovin që ka marrë internet. Nëpërmjet internetit. palestinezët kanë gjetur një mënyrë për të pasur akses në lajme, për të postuar video dhe për t’i treguar botës historitë e tyre.

Koka: Pra, kjo është një tentativë për të ndalur fjalën e lirë apo për t’i treguar botës të vërtetën që po ndodh në Gaza?

Lamis Andoni: Jo vetëm në Gaza, por edhe në Jeruzalem. Pra të tregosh të vërtetën sepse ka foto, video që tregojnë izraelitët në veprim apo Izraelin teksa bombardon Gazën, ashtu sikurse po shihet edhe në ekranin tuaj.

Koka: Znj. Andoni, disa ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB,  z. Antonio Guterres deklaroi se “nëse ferri ekziston në tokë,  është jeta e fëmijëve në Gaza”. A mund të na e përshkruash se çfarë do të thotë të jesh një fëmijë që rritesh në një zonë me konflikt të vazhdueshëm,  jo vetëm gjatë luftës por edhe pas armëpushimit?

Lamis Andoni: Në fakt ka një bllokadë në Gaza. Me raste njerëzit nuk mund të lëvizin për të shkuar për të bërë një ndërhyrje mjekësore apo për të shkuar në universitet. Në të shumtën e rasteve ka mungesë dritash, ndërsa sa i përket fëmijëve, ata jetojnë në frikë. Frikë nga bombardimet, frikë se mund të vriten në shtëpinë e tyre. Fëmijët u kërkojnë prindërve që të qëndrojnë pranë tyre, në mënyrë që nëse ata vdesin, të vdesin të gjithë së bashku. Disa prindër i çojnë fëmijët e tyre në ndërtesa të tjera në mënyrë që nëse ato ndërtesa bombardohen, të paktën do të ketë të mbijetuar nga ajo familje. Kanë vrarë shumë familje, fëmijë me prindërit e tyre, apo fëmijë me nënën apo me babanë e tyre. Pra ajo që po ndodh në Gaza është totalisht një tragjedi, krim kundër njerëzimit. Megjithatë Izraeli ia hedh gjithmonë për shkak të mbështetjes së fortë të Amerikës, me furnizimin e tyre me ndihma dhe me municione.

Koka: Ka pasur raportime, edhe nga komuniteti ndërkombëtar, se Hamasi përdor civilët si mburojë kundër raketave që lëshohen nga Izraeli në drejtim të Gazës. A është e vërtetë kjo?

Lamis Andoni: Ju i shihni vet imazhet. Po flasim për sulme kundër ndërtesave në të cilat jetojnë njerëz, ku njerëzit kanë familjarët e tyre dhe izraelitet i bombardojnë. Edhe ti do të ishe një mburojë njerëzore nëse do të ishe banor i Gazës, kjo për faktin se ti je nga Gaza, jeton aty dhe ata të bombardojnë. Jo sepse Hamasi përdor njerëzit si mburojë. Edhe gjatë Luftës së Dytë kishte rezistencë. Ço pushtues vriste njerëzit, diskriminonte, bombardonte. Edhe këtu po përpiqet të shkatërrohet jeta e njerëzve që jetojnë në Gaza, po shkatërrohen spitale, universitetet, libraritë dhe ndërtesat që ju i shihni në ekran, në të cilat banojnë njerëz të klasës së mesme, të cilët kanë punuar fort për t’i ndërtuar.  Ata nuk po humbasin vetëm shtëpitë e tyre, por edhe jetën. Kjo është një katastrofë që ripërsëritet. Sa i përket banorëve të Gazës dhe hedhjes së raketave nga Hamasi, ka një shtypje ndaj palestinezëve në Jeruzalem, në Bregun Perëndimor. Buldozerët e ushtrisë izraelite vijnë dhe rrënojnë shtëpitë , jo nëpërmjet raketave por me buldozerë, i largojnë njerëzit nga zonat e tyre. Kjo është përditshmëria e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalem. Njerëzit janë të rebeluar, boll me kaq. Njerëzit protestuan dy javë rresht në mënyrë paqësore, ndërsa ushtria izraelite i arrestonte, qëllonte mbi ta, pra vijuan me rutinën e tyre duke përzënë njerëz nga shtëpitë e tyre. Pra, përse njerëzit e mbështetën Hamasin me lëshimin e raketave? Sepse ata panë që dikush po u vinte atyre në ndihmë. Nuk janë raketat, por ndihma që i ofron njerëzve kur kanë nevojë. Izraeli ka një ushtri të fuqishme, municione shumë të përparuara dhe teknologji gjithashtu.

Koka: Kam një pyetje personale. Si përshkallëzoi situata nga Sheik Jarah, lagja myslimane, në Rripin e Gazës? 

Lamis Andoni: Palestinezët e shohin veten si një komb i përbashkët dhe Jeruzalemi është shumë i rëndësishëm për ta, jo vetëm në aspektin fetar por si zemra e Palestinës. Ajo që po bën Izraeli është se po dëbon njerëzit nga shtëpitë e tyre duke ngritur vendbanime të cilat janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit. Ata po sjellin njerëz të jashtëm të banojnë aty dhe po detyrojnë nëpërmjet forcës ushtarake të dëbojnë njerëzit nga shtëpitë e tyre. Pra kemi arritur në një pikë ku ka një zaptim total të Jeruzalemit, zaptim total të xhamisë Al Aksa. Unë që jetoj në Aman, palestinezët që jetojnë  në SHBA, i shohin këto ngjarje dhe themi boll me kaq. Edhe në Haifa, ku ka qyteza që tani janë vendosur Izraelitët, janë toka palestineze. Shprehni solidaritet sepse kjo po kthehet në një luftë exterminimi. Ajo që ndodh në Jeruzalem, përfshirë Bethlehem, është se njerëzit ndihen të vetmuar në këtë përballje me ushtrinë izraelite. Nuk është e domosdoshme të jesh islamik, unë jam e krishterë meqë ra fjala, Shehik Jarah nuk është një lagje ku jetojnë vetëm myslimanë por është një lagje ku janë të vendosur të krishterë dhe myslimanë së bashku, ndonëse të gjithë janë palestinezë.

Koka: A është një lagje ku jetojnë islamikë dhe armenë?

Lamis Andoni: Po, janë disa armenë që janë zhvendosur aty që nga koha e Perandorisë Osmane, rreth 120 vjet më parë. Sot ata janë armenë palestinëzë. Armenë të krishterë dhe armenë palestinezë si unë, por megjithatë ne e quajmë veten palestinezë, pavarësisht fesë tonë. Këta njerëz jetojnë të gjithë aty, përse duhet të zhvendosen nga shtëpitë e tyre për t’ia dhënë atyre që vijnë nga Nju Jork apo Rusia, Ukraina, dhe vetëm sepse je hebre?!   Kjo nuk ta jep ty të drejtën të bësh diçka të tillë. Jam e sigurtë që ju e keni parë videon e famshme që qarkullon në internet. Izraeli po i josh të hebrenjtë e huaj të zhvendosen aty me çmime të lira banesash. Çfarë është kjo?! Kjo është e papranueshme. Nuk e thonë vetëm palestinezët një gjë të tillë por edhe rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa konventa e cilëson këtë akt si të paligjshëm dhe e barabartë me krime lufte.  Përse duhet ta pranojnë palestinezët diçka të tillë?

Koka: Znj. Andoni, cili është opinioni juaj për veprimet ushtarake të Hamasit?

Lamis Andoni: Para së gjithash, unë e shoh si një rezistencë. Nëse funksionon apo jo, kjo është çështje tjetër. Unë preferoj zgjidhje përmes paqes ndërkohë që rezistenca e palestinezëve nuk është e dhunshme. Po të jap një shembull. Pranë Bethlehemit ka një kodër. Izraelitët e morën të gjithën dhe vendosën aty vendbanime. Palestinezët nisën qëndresën e tyre paqësore dhe ushtarët izraelitë erdhën, I dëbuan nga aty e më pas zaptuan vendin.  Po përpiqen të bëjnë gjithçka dhe kjo nuk po funksionon. Këshilli i Sigurimit të OKB-së i kërkoi Izraelit që të ndalë me këto akte, por pavarësisht kësaj kjo nuk i ka ndaluar veprimet e tyre. Kjo ndodh sepse fuqia ushtarake ka forcë të bëjs gjithçka që dëshiron edhe sepse SHBA ndalon çdo veprim, ndalon bojkotin.  Izraeli duhet bojkotuar,  njëjtë si me atë që u ndërmor kundër Afrikës së Jugut. Dua t’iu rikujtojë diçka. A e mbani mënd regjimin në Afrikën ku Nelson Mandela lejoi revolucionin kundër? Regjimi atje ishte njësoj sikurse Izraeli, me strukturë të njëjtë. Ajo që Izraeli po bën është më keq se në Afrikë, nuk është për shkak të arabëve dhe hebrenjve, por për shkak se njerëzit nuk kanë të drejta të barabarta, me njerëz që mendojnë se kjo është e drejta jonë, ne mund të vijmë, të zaptojmë, pak rëndësi ka nëse ti je i krishterë, armen apo mysliman. Kjo për ta është si të thuash, kjo është monarkia jonë. Dua të ndalem edhe tek një pikë tjetër. Problemi tjetër është se ushtria izraelite  vret palestinezët, u merr shtëpitë, i rrëmben, i fut në burgje. Nga ana tjetër kemi izraelitët që dëshirojnë të shijojnë jetën e tyre. Dhe pse jo, ta shijojnë por të mendojnë se 20 km largë tyre, ushtria jote po vret njerëz, jo sepse ushtria do t’i vrasë, por sepse kjo është politika izraelite. Kështu është trajnuar dhe komanduar ushtria. Ata nuk duan të shqetësohen aspak ndërkohë që jeta e palestinezëve po shkatërrohet, kjo nuk është njerëzore.  Nëse unë jam arabe për shembull dhe vendi im bombardon një vend tjetër vetëm se kërkon ta zaptojë, ndërkohë që unë jam e ulur në kafe, duhet të kuptoj që dikush do të vijë dhe do të përpiqet të më vrasë. Unë nuk jam një promovuese e vrasjes së civilëve,  në fakt nëse i hedhim një vështrim bombardimeve të Hamasit në drejtim të Izraelit, nuk ka pasur shumë viktima. Hamasi nuk dëshiron të vrasë civilë por Izraelit nga ana tjetër nuk i bëhet vonë. Ky është një dënim kolektiv. Unë nuk dua që kjo të zgjidhet përmes luftës, palestinezët nuk kanë municione për të shkuar në luftë. Nëse duam ta zgjedhim në mënyrë paqësore, Izraeli duhet të kuptojë se palestinezët janë të përbërë nga mishi dhe gjaku, njerëz të cilët kanë të drejtat e tyre për të jetuar të lirë. Jo njerëz ku ti shkon e i bombardon ndërsa njerëzit e tu shijojnë kohën e tyre në plazh. Po, mbro njerëzit e tu por kupto që edhe palestinezët janë njerëz, edhe ata kanë të drejtë të shkojnë në plazh. Unë jetoj në Bethlehem dhe nëse familja ime kërkon të shkoj në Ramallah, Jeruzalemi dhe Ramallah nuk janë larg Bethlehemit, por Izraeli nuk i lejon ata, ka raste që nuk i lejojnë as të shkojnë në dasmat e familjarëve të tyre. Kjo është jeta normale e një palestinezi dhe nuk po flasim as për Gazën.

Koka: Kam qenë edhe vet në Bregun Perëndimor dhe e kam parë nga afër situatën me vendbanimet. Megjithatë, nga ajo që kam parë unë është se mbase palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor po e pranojnë vetë një situatë të tillë.  Ndryshe ndodh në Gaza ku ka një rezistencë. A ka një qëndrim ndryshe Hamasi nga Fatah?

Lamis Andoni: Hamasi nisi si një lëzivje rezistence dhe përdori armë. Mbështetësit e Fatah janë ende të zemëruar me udhëheqësin e tyre, ata kërkojnë që të jetë një lëvizje rezistence. Hamasi ka ideologji tjetër, islamike, por kjo është çështje tjetër. Ajo që është kryesore është se kur palestinezët shohin që dikush i mbron ata, e mbështesin edhe pse nuk janë dakord me ideologjinë e tyre. E dyta, ti ke shkuar kur çdo gjë ishte e qetë por ka pasur dy kryengritje në Bregun Perëndimor kundër Izraelit, në 2001 dhe 2002. Palestinezët nuk po e pranojnë një situatë të tillë por  Bregu Perëndimor u shkatërrua në 2002 dhe gjenerata e gjenerata po rezistojnë sërish sepse janë të lodhur nga bombardimet e Izraelit. Bregu Perëndimor u bombardua në 2001, Bethlehemi u bombardua, ndaj nuk është se ata po e pranojnë një situatë të tillë. Gaza është në rrethim total dhe kjo e bën akoma më të vështirë situatën. Bregu Perëndimor u bombardua në 2001, e madje izraelitët shkatërruan edhe një kishë në Bethlehem. Palestinezët nuk po e pranojnë, por më një rezistencë pas rezistence, ata po paguajnë një çmim të madh. Një gjeneratë e re vjen dhe historia përsëritet.

Koka: Si e shihni qëndrimin e vendeve arabe kundrejt krizës palestineze?

Lamis Andoni: Bota arabe është e shokuar. Në botën e vendeve myslimane ka pasur protesta të vazhdueshme por qeveritë janë të frikësuar ndaj Amerikës. Kjo kryengritje sot po ndodh përtej kufijve, jo vetëm në Gaza. Kjo është një shuplakë, një bllokadë kundër normalizimit me Izraelin. Palestinezët po I thonë izraelit që nuk ka normalizim të marrëdhënieve nëse ne do të vijojmë të jetojmë një jetë të tillë.

Koka: Znj. Andoni, faleminderit shumë për kohën tuaj

Lamis Andoni:Faleminderit ju!

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme