Çfarë po ndodh në Kubë/Protesta e rrallë antiqeveritare, 1 i vrarë dhe qindra të shoqëruar, bllokohet interneti

Një burrë ka vdekur gjatë demonstratave të rralla anti-qeveritare në Kubë që kanë tronditur ishullin në ditët e fundit. Diubis Laurencio Tejeda, 36 vjeç, vdiq në një periferi të Havanës të hënën, gjatë një përplasje midis protestuesve dhe policisë.

Sipas ministrisë së brendshme, ai ishte pjesë e një grupi që sulmoi një strukturë qeveritare, ndërkohë që disa persona të tjerë janë arrestuar. Por dëshmitarët thonë se forcat e sigurisë sulmuan njerëzit që kishin dalë në rrugë për të protestuar.

Demonstratat e rralla anti-qeveritare filluan të dielën në Kubë, kur mijëra persona filluan të protestojnë për mungesat e ushqimit dhe ilaçeve, rritjen e çmimeve dhe trajtimin që qeveria i bëri pandemisë së shkaktuar nga Covid-19. Takime të tilla të paautorizuara publike janë të paligjshme në Kubë.

Presidenti Miguel Díaz-Canel i ka quajtur demonstruesit “kundër-revolucionarë”.

Qeveria e tij ka kërkuar të fajësojë Shtetet e Bashkuara dhe sanksionet e saj ekonomike, si për protestat ashtu edhe për problemet më të gjera të Kubës.

Deri më tani nuk ka asnjë shpjegim zyrtar se si vdiq Diubis Laurencio Tejeda.

Media shtetërore tha se ai ishte përfshirë në “trazira” në lagjen La Guinera të Havanas të hënën, ku një grup dyshohet se sulmoi një strukturë qeveritare. Në një deklaratë të martën, ministria e brendshme akuzoi demonstruesit për vandalizëm, duke vendosur zjarre dhe sulmuar policinë, si dhe civilët.

Por dëshmitarët kanë thënë që forcat e sigurisë sulmuan protestuesit paqësorë të cilët u bashkuan me një demonstratë spontane në lagje. Waldo Herrera, i cili jeton në zonë, i tha agjensisë së lajmeve Reuters se kishin tërhequr armët dhe kishin filluar të qëllonin mbi demonstruesit.

“Unë mendoj se komunistët kanë humbur kontrollin, ata nuk do të kenë një zgjidhje për këtë situatë,” tha ai.

Të martën, policia ishte në një numër të madh në rrugë. Më shumë se 100 njerëz janë arrestuar dhe shumë të afërm janë duke kërkuar informacion për vendndodhjen e tyre.

Një grua duke pyetur për djalin e saj 21-vjeçar në një stacion policie në Havana i tha agjencisë së lajmeve AFP se ai ishte marrë nga shtëpia e tij, “i prangosur dhe i rrahur”. Ajo shtoi: “Ata morën shumë nga lagjja, të rinj dhe të moshuar”.

Një djalë i ri, i cili dha emrin e tij vetëm si Carlos Alberto dhe u kontaktua me telefon nga BBC, tha se ai ishte fshehur në shtëpinë e të dashurës së tij pasi mori pjesë në një demonstratë.

“Kam frikë se e njëjta gjë mund të më ndodhë mua,” tha ai. “Ne thjesht po kërkojmë liri dhe me këtë qëndrim ata po tregojnë se çfarë janë: një diktaturë.”

Çfarë qëndron prapa protestave?

Trazirat filluan me një demonstratë në qytetin e San Antonio de los Baños, në jug-perëndim të Havanës, por shpejt u përhap në të gjithë vendin.

Postimet në mediat sociale treguan njerëz që përmbysnin makinat e policisë dhe plaçkitnin dyqanet, çmimet e të cilave janë tepër të larta për ta.

Demonstratat duket të jenë rezultat i rraskapitjes shoqërore që rrjedh nga kriza të ndryshme ekonomike dhe shëndetësore, thonë analistët. Masat pandemike dhe ekonomike të marra nga qeveria e kanë bërë jetën në Kubë gjithnjë e më të vështirë.

Ka pasur raporte të ndërprerjeve të internetit në të gjithë ishullin. Kuba hapi aksesin në internetin celular në dhjetor 2018, por ajo kontrollohet nga shteti.

Mbikëqyrësi i mbylljes së internetit NetBlocks tha të hënën se ofruesi shtetëror i internetit Etecsa kishte bllokuar hyrjen në platforma duke përfshirë ËhatsApp dhe Facebook.

Gazetarja kubane Camila Acosta, e cila shkruan për gazetën spanjolle ABC, është midis atyre që janë ndaluar.

Ministri i Jashtëm spanjoll José Manuel Albares bëri thirrje për lirimin e saj të menjëhershëm në një Twitter të martën dhe i kërkoi Kubës të respektojë të drejtën e njerëzve për të demonstruar “lirshëm dhe paqësisht”.

Image

 

 

 

 

 

 

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme