Pasi e kaloi njërin prej sezoneve më të dobëta të viteve të fundit, Chelsea dëshiron t’i përmirësojë gjërat para se të nisë edicioni i ri.
“Blues” duan të ngriten në nivelet më të larta dhe për këtë iu nevojiten përforcime pas disa largimeve dhe ndryshimeve që po planifikon t’i bëjë trajneri Mauricio Pochettino.
Mediumi britanik “The Guardian” raporton se trajneri argjentinas i ka kërkuar tre lojtarë të mesfushës, të cilët do t’i kushtojnë klubit londinez hiç më pak se afro 200 milionë euro.
Shpenzimin më të lartë klubi nga “Stamford Bridge” do ta bëjë me Moises Caicedon e Brightonit, i cili duket se është afër klubit londinez për një shifër prej 115 milionë eurosh.
Gjithashtu, në Londër mund të përfundojë edhe Romeo Lavia i Southamptonit, për të cilin Të Kaltrit i kanë ofruar 55 milionë euro dhe janë afër ta fitojnë garën me Liverpoolin.
Kurse, lojtari i tretë që mund të përfundojë në Londër është Tyler Adams i Leedsit, të cilin “Blues” mund ta blejnë për 23 milionë euro.
Natyrisht, Chelsea ia ka vënë syrin edhe sulmuesit të Juventusit, Dusan Vlahovic, i cili mund të shkëmbehet me Romelu Lukakun, i cili nuk bën pjesë në planet e trajnerit Pochettino.