Cili gazetar serb i Kosovës cilësohet si spiun rus?

Shoqata e Gazetarëve të Serbisë (UNS) dhe Shoqata e Gazetarëve të Kosovës e Metohisë (DNKiM), përmes një komunikate për media, kanë dënuar ashpër veprimin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK-së) për një tekst, siç thuhet në komunikatë, të panënshkruar në gjuhën shqipe përmes të cilit akuzon një numër serbësh të Kosovës, ndër të cilët edhe “gazetarin e njohur nga Graçanica me inicialet B.N. për spiunazh në favor të Rusisë”, transmeton Koha.net.

Këto organizata vlerësojnë se me këtë mënyrë të shkrimit rrezikohet jo vetëm jeta e gazetarit B.N. “por edhe grupi i njerëzve i cili pa kurrfarë argumentesh me fotografi, emra e mbiemra, janë shënjuar si spiunë rusë”.

“Kërkojmë nga komuniteti mediatik i Kosovës, nga shoqatat profesionale, Këshilli i Shtypit (?) që të reagojnë me urgjencë ndaj kësaj mënyre të të shkruarit të servisit publik, tekstin e të cilit e kanë transmetuar edhe mediet e tjera shqiptare në Kosovë. Kërkojmë që ky tekst të tërhiqet nga interneti prej RTK-së, sikurse edhe nga mediet e tjera që e kanë transmetuar, ndërsa organizatat profesionale , gjykatat e nderit dhe Këshilli i Shtypit të deklarohen rreth përgjegjësisë së redaktorit për publikimin e kësaj përmbajtjeje”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës e Metohisë, Budimir Niçiq (B.N.) ka thënë se është shqetësues fakti se teksti me të cilin serbët në Kosovë shndërrohen në shënjestër ekstremistësh e ka publikuar servisi publik i Kosovës.
“Nuk është gjë e re që disa medie në Kosovë publikojnë gënjeshtra të ndryshme, informata të paverifikuara dhe tendencioze dhe këtë e bëjnë kryesisht disa portale, të cilat për asgjë askujt nuk i përgjigjen.

Por, kur dihet se kjo vjen nga servisi publik i Kosovës kjo është shumë shqetësuese. Kjo është thirrje për linç dhe thirrje për vrasje, sepse shpallja e cilitdo serb në Kosovë për spiun rus është shndërrimi i atij njeriu në shënjestër të ekstremistëve dhe të grupeve ekstremiste” shkruan në komunikatën e kryetarit të Shoqërisë së Gazetarëve të KeM.

Edhe kjo shoqatë dhe UNS ka pritur që Misioni i OSBE-së në Kosovë e Metohi dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë të reagojnë publikisht ndaj shkrimit të RTK-së.
Shoqatat e gazetarëve, siç raporton “Insajderi” në gjuhën serbe, kanë rikujtuar lajmin e rremë për mbytjen e dy fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër, të cilin e kishte publikuar RTK, që nxiti dhunën ndaj serbëve në mars të vitit 2004 si dhe se shtatë gazetarë dhe punëtorë serbë të medieve , që janë vrarë dhe zhdukur në Kosovë e Metohi në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2000, ndërsa përgjegjësit për këto vepra asnjëherë nuk janë gjetur.

Me rastet e pazgjidhura të gazetarëve të kidnapuar e të vrarë në Kosovë, Insajder (në gjuhën serbe) është marrë në emisionin Insajder pa kufizime “Monument të vërtetës”. Në Kosovë para, gjatë e pas luftës janë kidnapuar ose vrarë 12 gazetarë, edhe serbë, edhe shqiptarë.
Dallimet ndëretnike të cilat ende ekzistojnë në Kosovë kanë bërë që për gazetarët e vrarë dhe të kidnapuar të flitet vetëm në bazë të përkatësisë etnike, ndërsa rastet mbesin nëpër sirtarë, thekson “Insjader”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme