Lufta u kthy këto ditë në fjalorin politik në përshkrim të zhvillimeve të mundshme në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Diçka e tillë nuk ka ndodhë që prej pëfundimit të luftës në Kosovë, me 10 qershor të vitit 1999. Për luftë të re në mes të Sebisë dhe Kosovës nuk është folë në këto anë të Ballkanit dhe Evropës as në vitin 2004, në ditët e rënda të trazirave të marsit, as në shkurtin e vitit 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur.
Dihet se çfarë ndodhi në fund të javës së shkuar, kur një tren i cili nuk kishte qëllimin e tij themelor, atë të transportit të njerëzve dhe të mallërave, apo, që ishte gjithçka tjetër, pos një tren, ia mësyu Kosovës, gjegjësisht Mitrovicës Veriore.
Politika zyrtare e Serbisë, të shtunën e kaluar, me 14 janar pra, iu kthye qasjes së njohur të Beogradit, e cila nuk lë aspak dyshime te askush, për qëllimet e saja. Nuk ka pasë këtu mundësi të ndonjë interpretimi tjetër, as në Prishtinë, as në rajon, as në Washington, Bruksel dhe Berlin, se me këtë veprim, Beogradi zyrtar synon të provokojë një destabilizim të ri të gjendjes në Kosovë. Për motivet e këtij veprimi, a ka ai karakter afatshkurtër apo afatgjatë, a është ai pjesë e ndryshimeve të politikës ndërkombëtare e cila gjithnjë e më shumë nënkupton përfshirjes e Federatës së Rusisë në punët ballkanike, apo, a njëmend Beogradi mendon që janë krijuar rrethanat e volitshme për te për ta çuar para agjendën e ndarjes territoriale të Kosovës, mund të flitet ditë e natë, siç edhe po ndodhë zatën në Kosovë dhe gjetiu.
Sidoqoftë, Prishtina zyrtare ishte thjeshtë e mbështetur për muri, apo, autoritetet e Kosovës nuk patën asnjë hapësirë politike dhe diplomatike, gjë që rezultoi me dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në kufirin midis dy shteteve.
Këtu, në këtë rast, nuk ka çka të flitet as për guxim, dhe as për frikë. Veprimi i këtillë është detyrim kushtetues dhe patriotizëm ligjor i autoriteteve të Kosovës.
Sidoqoftë, gjithçka përfundoi qetë dhe mirë atë mbrëmjen e ftohtë të janarit.
Natyrisht, kthimi mbrapsht i një treni që nuk do të duhej të nisej fare për Mitrovicë, në rrethanat që nuk lenin tjetër shpjegim as këtu, as kund tjetër, pos si një gabim trashanik politik i Beogradit, shkaktoi në politikën serbe një ortek reagimesh që niseshin dhe soseshin me përmendjen e mundësisë për shpërthim të luftës në mes të dy shteteve. Këtu veçmas u dallua Presidentin i Serbisë, Tomisllav Nikoliq.
Përmendja e luftës nuk ishte gjë pos një deklaratë e sertë politike, sepse dihet që Kosova, në aspektin e sigurisë së përgjithshme, vazhdon të jetë nën ambrellën e Paktit NATO, në bazë të mandatit të fituar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ishte ky gabimi i dytë i madh i Beogradit zyrtar brenda pak ditësh.
Për më shumë, më pas u mor vesh që sjellja e Beogradit karshi Kosovës dhe mundësisë për shpërthimin e një lufte të re, ka hasë në reagime masive në rrjetet sociale në Serbi, të papara për vite të tëra, të cilat dëshmonin që mbi 90 përqind të atyre që paraqiteshin aty për të shprehë mendimin e tyre, jo vetëm që kundërshtonin luftën por për më shumë, e vlerësonin si të gabuar tren-politikën e Serbisë karshi Kosovës. Diçka e tillë ka qenë e paimagjinueshme pak vite më parë.
Ngjarjet e mbrama në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk kanë si mos të shprehen në rrjedhën e mëtejme të bisedimeve në mes të dy shteteve. Dialog gjithsesi do të ketë në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë. Pyetja këtu është: Çfarë do të jetë ky dialog dhe për çka, në të vërtetë do të bisedohet. Ndarja në mes të Kosovës dhe Serbisë ka ndodhë, një herë dhe përgjithmonë. Këtë e dinë edhe të gjithë politikanët relevantë në Beogad. Lëmshi i gjatë dhe tragjik historik në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet gjithsesi të tëfillohet, sepse ndryshe, ai do të jetë burim i tensioneve dhe problemeve të reja në këto anë të Ballkanit.
Nga kjo perspektivë, çuditërisht, ngjarja rreth trenit politik të Serbisë, mund të ndikojë edhe në krijimin e rrethanave më të volitshme për rrumbullakësimin e dialogut të Kosovës dhe Serbisë.
Dhe ky dialog në këtë fazë do të duhej të mirrej me kodin legal dhe politik të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
(Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)