Çka ndodhi realisht mbrëmë? – Partitë akuzojnë njëra-tjetrën

Gazetare: Fatlume Derivshi

Incidenti i një dite më parë mori shpejt konotacion politik dhe etnik dhe u bë arsye që partitë të akuzojnë njëra-tjetrën për inskenime dhe nxitje. VMRO-DPMNE-ja thotë se hapësira ku ndodhi incidenti, në sheshin “Skenderbeu” nuk ishte mjaftueshëm e siguruar nga policia.

Partia e Mickoskit kërkon dorëheqjen e ministrit Oliver Spasovski për mos mbrojtje të sigurisë së protestuesve dhe ministrit të Jashtëm Bujar Osmani për, siç thonë ata, kërcënime me incidente ndëretnike.

“Gjatë incidentit të mbrëmshëm për arsye të njohura për ministrin ku është e nevojshme madje edhe sigurim i vërtetë, të dukshëm ishin vetëm tre nëpunës. Kjo nënkupton se është dështuar plotësisht në sigurinë fizike, duke mos parashikuar numër të nevojshëm të forcave policore dhe mjete të duhura materiale-teknike”, tha Naqe Çulev, VMRO-DPMNE.

Për LSDM-në, incidenti ka qenë i inskenuar nga VMRO-DPMNE-ja.

“Një skenarë i përgjakshëm ishte i pasuksesshëm për shkak të presionit të opinionit dhe reagimit të institucioneve. U vërtetua se gjithçka është pjesë e kokave të errëta në VMRO-DPMNE dhe partive anti-evropiane. Mickoski nuk ishte viktimë por regjisor dhe realizues kryesor i atij skenari të errët dhe të përgjakshëm”, u shpreh Martin Kostovski, LSDM.

Kurse për BDI-në, incidenti ishte I nxitur dhe realizuar nga koalicioni VMRO – E Majta – Aleanca për Shqiptarët.

“Dje vetë ishit dëshmitarë të një incidenti të inskenuar nga aktivistë të VMRO-DPMNE-së, Levicës dhe Aleancës për të prodhuar incidente ndëretnike. Shqiptarët nuk janë pjesë e këtij konflikti. Institucionet, MPB-ja, Prokuroria edhe një herë të ndërmarrë hapa për t’i zbuluar dhe për të nisur procedurë ndaj të gjithë atyre që provokojnë incidente, që i shkaktojnë dhe që marrin pjesë”, theksoi Artan Grubi, BDI.

Presidenti Stevo Pendarovski bën thirrje për protesta pa dhunë dhe dënoi përdorimin e armëve nga civilët.

“Është i papranueshëm përdorimi i dhunës dhe nxitja e dhunës për qëllime politike. Ngjarja që ndodhi mbrëmë në Shkup nuk duhet assesi të përsëritet sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme se paqja dhe siguria e të gjithë qytetarëve. U bëj apel të gjithë organizatorëve të protestave, të cilat po mbahen këto ditë në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin përgjegjësi dhe të drejtën e tyre demokratike që të protestojnë të vazhdojnë ta praktikojnë me dinjitet dhe pa dhunë. Njëkohësisht e gjykoj rreptësishtë mbajtjen dhe përdorimin e armës së zjarrit nga civilët dhe qytetarët në vend, të cilët nuk janë përfaqësues të organeve të sigurisë”, ka shkruar Stevo Pendarovski, President./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme