Çka synon Beogradi në rastin Haradinaj?

Për Beogradin, sipas burimeve diplomatike, varianti më i mirë është ai i mbajtjes së Haradinajt sa më gjatë në Francë, për të ndikuar në tensionimin e gjendjes në Kosovë.

Burime diplomatike perëndimore kanë thënë për Politiko.net se nuk ka fare gjasa që autoritetet franceze të dakordohen për ekstradimin në Serbi të Ramush Haradinajt, Kryetarit të AAK’së dhe ish-Kryeministrit të Kosovës, në pajtim me fletarrestin e autoriteteve gjyqësore serbe të vitit 2004, që është përtërirë në gusht të vitit 2016.

Në rastin e Haradinajt, pos aspektit gjyqësor, ekziston edhe ai politik dhe diplomatik, prandaj ekstradimi i tij kërkon pos tjerash edhe dakordimin e Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Drejtësisë të Francës, të cilat, sipas burimeve diplomatike, do të kundërshtonin në mënyrë të prerë dërgimin e Haradinajt në Beograd.

Në anën tjetër, megjithëse vetë Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic, javën e shkuar, ka paralajmëruar që Serbia edhe zyrtarisht do ta përgatisë kërkesën për autoritetet gjyqësore franceze për ekstradimin e Haradinajt, sipas burimeve diplomatike, Beogradi zyrtar dëshiron që para opinionit të vet të duket që po bën gjithçka për ta sjellë ish-Komandantin e UÇK’së të Zonës së Dukagjinit në Beograd, por në anën tjetër nuk llogarit që diçka e tillë është e mundur, dhe pastaj, në realitet, as që e dëshiron një konkludim të kësisojt të rastit Haradinaj, sepse nuk do të dinte çka të bëjë me Haradinajn në atë rast.

Mbajtja e tij në burg dhe gjykimi eventual do të kishte pasoja lehtë të parashikueshme për sigurinë në Kosovë dhe për fatin e dialogut në Bruksel, ndërsa lirimi i tij dhe kthimi në Kosovë do të shihej në opinionin serb si një disfatë e madhe politike e Kryeministrit të Serbisë.

Për Beogradin zyrtar, sipas burimeve diplomatike, varianti më i mirë është ky i mbajtjes së Haradinajt sa më gjatë që është e mundur në Francë, për të ndikuar kështu në tensionimin e mëtejmë të gjendjes në Kosovë dhe refuzimi i ekstradimit të tij në Serbi nga autoritetet franceze.

Burime diplomatike kanë thënë për Politiko.net se problemi me fletarrestet e Serbisë nuk lidhet vetëm me Kosovën, por edhe me Kroacinë dhe Bosnje dhe Hercegovinë, për shkak se Serbia posedon në aspektin ligjor të të ashtuquajturin “jurisdiksion universal” mbi ish-shtetasit e RSFJ’së, gjë që i ka krijuar Beogradit mundësinë e përndjekjes politike të ish-luftëtarëve dhe politikanëve të Kosovës, Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Një diplomat kroat ka pohuar për politiko.net se përpjekjet e deritashme të Kroacisë për ta adresuar këtë çështje nuk kanë pasur sukses, edhe në rastin kur Kroacia është dashur ta japë pëlqimin për hapjen e Kapitujve 23 dhe 24 të bisedimeve të Serbisë për integrim në BE.

Zagrebi zyrtar është detyruar në fund të lëshojë pe, për shkak të presioneve të Brukselit, por edhe të disa shteteve të fuqishme të BE’së.

Sidoqoftë, si kundërpërgjigje ndaj fletarresteve të Serbisë, autoritetet e Kroacisë kanë përgatitur një mori fletarrestesh të tyre ndaj përgjegjësve në Serbi për krimet e bëra gjatë luftës në Kroaci në vitet 1991-1995.

Në anën tjetër, burimet diplomatike kanë thënë për Politiko.net që në rastin e ndalesës së Ramush Haradinajt në Lubjanë, në vitin 2015, për ta mundësuar lirimin e Haradinajt dhe kthimin e tij në Prishtinë, autoritetet sllovene patën shfrytëzuar faktin që Haradinaj po udhëtonte me një pasaportë diplomatike dhe që po kthehej në Kosovë nga një vizitë zyrtare në Gjermani.

Edhe atëherë, reagimi imediat i Qeverisë së Sllovenisë, teksa ende zhvilloheshin procedurat gjyqësore, ka qenë që nuk do të ketë ekstradim të Haradinajt në Beograd. / Politiko.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme