Gazetar: Miki Trajkovski
Ish-ushtruesja e detyrës drejtoreshë e shkollës fillore në Veleshtë të Strugës, Egzona Shei, nuk i ka plotësuar kushtet për t’u emëruar ushtruese detyre, sipas ligjit për arsimin fillor, shkruan Alsat.
Kështu ka deklaruar Natasha Pintoska- Beqaroska nga Inspektorati Shtetëror Arsimor në Strugë, e cila ishte dëshmitare në rastin në të cilin akuzohet kryetari i Strugës, Ramiz Merko.
“Pas emërimit të ushtruesit të detyrës, kryetari i komunës nuk ka marrë vendim për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e drejtorit, gjë që është në kundërshtim me ligjin. Duke emëruar dy herë ushtrues detyre të njëjtin person, ka vepruar në kundërshtim me ligjin”, tha Natasha Pintoska Beqaroska- Inspektorati i Arsimit, Strugë.
Për gjendjen në shkollë është informuar jo vetëm kryetari i komunës, por edhe ministrja e Arsimit. Për rastin në fjalë janë dy vepra penale “punë e pandërgjegjshme” dhe “falsifikim të dokumenteve”. U tha se ushtruesja e detyrës ka dorëzuar diplomë të arsimit të lartë të përfunduar kur ajo tashmë ishte avancuar si drejtoreshë. Gjykimi do të vazhdojë në vjeshtë pas pushimeve verore, por ekziston rreziku që çështja të kthehet nga fillimi.
“Mandati im mbaron më 5 shtator, por shpresoj që të ketë mundësi për ta vazhduar, sepse sigurisht që këtu ka raste që ia vlen të plotësohen. Më e mira do të ishte që ai që i ka nisur t’i përfundojë. Unë do të kërkoj që të ketë vazhdimësi të lëndëve. Fillimisht do të presim vendim zyrtar”, u shpreh Jordan Jovanov- gjykatës.
“Nëse nuk do të kishim prova të mjaftueshme, akuza nuk do të ishte ngritur. Kam kërkuar që të mos zvarritet procedura, duke qenë se çdo gjë po shkon ashtu, që mbrojtja ta zgjasë procedurën e vjetërsimit”, theksoi Xhemal Lloga- zëvendës- prokuror publik.
Diskutimi i sotëm u zhvillua në atmosferë të tensionuar. Merko tha se e di pse akuzohet, por se nuk ndihet fajtor për veprën që i ngarkohet. Ndërkohë Merko të hënën do të duhet të paraqitet në gjykatë , për rastin e blerjes së automobilit luksoz “Audi A6”./ Alsat.mk