Puna e jurisë së çmimit Kadare ka hyrë në fazën intensive të leximeve për autorët e interesuar në garën e letërsisë. Deri tani interesi për të konkurruar për çmimin letrar ka qenë i madh nga ana e autorëve, ku ashtu si edhe në vitet e kaluara fluksi i veprave në dorëshkrim ka qenë i paparashikuar nga ana jurisë.
Çmimi “Kadare” ka hyrë në edicionin e tij të katërt, ndërsa juria ka realizuar takimin e parë të saj, tashmë e bërë publike me kryetar, shkrimtarin Kim Mehmeti, dhe anëtarë Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili.
Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës pesë anëtarët e jurisë janë mbledhur për të përcaktuar procedurën e vlerësimit të librave dhe për të ndërtuar një skemë mbi të cilën do të operojnë në vazhdim.
“Juria e çmimit Kadare, bëri takimin e parë i cili do të vijojë me një sërë takimesh të tjera, për të mbërritur në takimin që do t’i paraprijë takimit final të majit, ku do të mund të bëjë publik dhe emrat e disa kandidatëve të mundshëm për këtë çmim, një prej të cilëve do të jetë fituesi i edicionit të katërt të kësaj ngjarjeje të madhe letrare. Gjatë diskutimeve u arrit të përcaktohet linja e vlerësimit që anëtarët e jurisë do të ndjekin, komunikimi që do mbajnë më njëri tjetrin në mënyrë që të arrijnë në një vlerësim sa më të drejtë e transparent”, ka thënë Alda Bardhyli, koordinatore e këtij edicioni.
Sipas saj, edhe pse ka vetëm një muaj nga shpallja e këtij konkursi interesi i shkrimtarëve për të qenë pjesë e garës është i madh, ku deri tani janë vënë re jo vetëm pjesëmarrje e autorëve të rinj, por janë edhe emra të konsoliduar tashmë si shkrimtarë.
Dorëshkrimet e mbërritura deri tani kanë nisur të lexohen nga juria e cila gjatë takimit analizoi disa prej tyre.
Çmimi letrar “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autorë shqiptar.
Harta e konkurruesve për këtë çmim është zgjeruar nga viti në vit, ku krahas autorëve nga Kosova dhe Maqedonia marrin pjesë dhe autorë shqiptarë që jetojë në vende të ndryshme të botës.
Fituesi pritet të shpallet, në fund të muajit maj, kur mbahen edhe Ditët Letrare të Razmës, ku organizohet dhe një konferencë shkencore mbi letërsinë.
Çmimi ka një vlerë prej 10 mijë euro që akordohet nga Instituti Europian Pashko me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës.
Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari Musa Ramadani ndërsa më parë janë vlerësuar autorët Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku.