Çohu: Politika e degradoi dhe shkatërroi PTK-në

Organizata për demokraci, antikorrupsion dhe dinjitet, Çohu!, përmes një reagimi ka fajësuar politikën për degradimin dhe shkatërrimin e PTK-së.

Në reagim të kësaj OJQ-ja thuhet:

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit në Vjenë më të cilin Post-Telekomi i Kosovës detyrohet që t’i paguajë 30 milionë euro kompanisë “Devolli Group” dëshmon për degradimin dhe shkatërrimin e vazhdueshëm të PTK-së si dhe tregon për papërgjegjësinë e madhe dhe keq-menaxhimin e kësaj ndërmarrje.

Kompania “Devolli Group” e cila e ka fituar rastin, është dëshmuar të ketë lidhje të forta me pushtetin dhe politikën. Madje jo rrallëherë zyrtarë të lartë kanë qenë pjesë e ahengjeve të pronarëve të kësaj kompanie. Kjo lidhje krijon edhe më shumë dyshime se edhe inicimi i rastit në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë mund të jetë një bashkëpunim ndërmjet palëve që procesi të arrijë deri në këtë fazë.

Ky është vendimi i dytë në dëm të Kosovës gjatë këtij viti, pasi që para disa muajve Gjykata e Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris mori vendim që kompania “AG Staatsdruckerei” të dëmshpërblehet me pesë milionë euro nga Qeveria e Kosovës.

Nuk janë të vetmet këto dy vendime në dëm të PTK-së dhe Republikës së Kosovës. Po gjatë kësaj jave do të vendoset edhe për kontestin me kompanisë Axos, e cila kërkon 50 milionë euro dëmshpërblim për shkak se Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka ndërprerë njëanshëm kontratën, një javë para se të përfundojë afati i fundit që kompania Axos të bëjë pagesën si fituese e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Post-Telekomit të Kosovës.

Vendimet e papërgjegjshme të zyrtarëve të lartë qeveritarë po e dërgojnë shtetin, e në ketë rast PTK-në drejt falimentimit. Qeveria e Kosovës duhet të bëjë transparente të gjitha kontestet që i ka me kompani të ndryshme në arbitrazh dhe të marrë masa për personat që i kanë shkaktuar këto dënime dhe konteste me kosto të madhe financiare. Transparente duhet të bëhen edhe profilet e personave të angazhuar në mbrojtjen e Kosovës në këto raste. Zyrtarët qeveritarë të përfshirë në këto raste duhet të japin përgjegjësi politike dhe penale nëse konstatohet një gjë e tillë për veprimet e tyre në këto raste, të cilat po i kushtojnë Kosovës dhjetëra miliona euro.

Dëmet nga vendimet e papërgjegjshme, të gabuara apo ndoshta edhe të qëllimshme, kanë ndikuar që Qeveria e Kosovës të shpenzojë qindra-mijëra euro për t’u mbrojtur në këto procese gjyqësore. Me 25 gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndarë 350 mijë dollarë për mbrojtjen e PTK-së në Arbitrazh në rastin e Axos. Gjithashtu me 21.12.2016 ndau edhe 150 mijë euro për këtë rast.

Miliona euro janë harxhuar nga qeveria për të përgatitur privatizimin e Post-Telekomit dhe të gjitha këto para kanë shkuar kot. Qeveria e Kosovës, në total ka paguar 4.2 milionë euro, për këshilltarët e transaksionit dhe ata strategjik, roli i të cilëve ishte të përpilojnë pakon tenderuese për procesin e privatizimit të PTK-së. Më 2009, “Telco AG & Wolf Theiss”, si këshilltar i transaksionit, fitoi kontratë në vlerë prej: 1.150.000,00 €; përderisa “Hunton & Williams LLP “, si këshilltar strategjik mori kontratë në vlerë 549,233.00 €; Më 2012, gjatë procesit të dytë të privatizimit të PTK-së, qeveria kishte angazhuar konzorciumin francezo-austriak “Lazard Freres S.S.S dhe Raiffeisen Investment AG”, ku vlera e kontratës ishte 2,495,000.00 €.

Mirëpo puna e këshilltarëve të tillë asnjëherë nuk është bërë e qasshme për publikun dhe si e tillë tashmë është pa asnjë vlerë dhe rëndësi. Këta këshilltarë kanë pasur ndikim të konsiderueshëm në gjithë procesin veçmas gjatë fazës së parë të privatizimit, kanë ndikuar dhe determinuar procesin në mënyrë të njëanshme veprim që shtyri edhe në dështim të privatizimit të ndërmarrjes.

Organizata Çohu! e konsideron shqetësues dhe të papërgjegjshëm faktin që deri me tani në tërë procesin e PTK-së janë humbur miliona euro (4.2 milionë euro për këshilltarët e transaksionit) dhe 30 milionë tash për operatorin Z-MOBILE dhe akoma nuk dihet se si do të përfundojë padia e AXOS. Ky është një shkatërrim i PTK-së, që duket të jetë i qëllimshëm nga përgjegjësit: menaxhmentet e PTK-së dhe Qeveria e Kosovës.

Deri më tani nuk është dhënë përgjegjësi as politike dhe as penale lidhur me keq- menaxhimin, problemet e vazhdueshme me dështimin në privatizim si dhe degradimin e vazhdueshëm të PTK-së.

Organizata Çohu! i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit që të fillojë një hetim të gjërë për personat të cilët ishin përgjegjës dhe të cilët mbajnë përgjegjësi për degradimin dhe shkatërrimin e PTK-së, deri në këtë masë.

Organizata Çohu! konsideron se dikush duhet të jetë përgjegjës për humbjet e 34.2 milionë eurove të PTK-së deri më tani. Pos përgjegjësisë politike duhet të ekzistojë edhe përgjegjësia penale për personat përgjegjës (bordi aktual dhe ai i kaluar i PTK-së, drejtori aktual dhe drejtorët e mëhershëm, ministri aktual i Zhvillimit Ekonomik, dhe ministrat e mëhershëm).

Andaj, organizata Çohu! e konsideron të nevojshëm dhe urgjent fillimin e procedurave për përgjegjësinë politike dhe penale për përgjegjësit kryesor dhe të tjerët të përfshirë në degradimin dhe shkatërrimin e vazhdueshëm të PTK-së të cilat vazhdojnë t’i kushtojnë çdo ditë e më shumë Republikës së Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme