Kjo strategji tregon afatet e mundshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Spanja është shteti që ka tentuar ta lë Kosovën jashtë kësaj strategjie, duke dhënë epitete se “Kosova nuk është shtet”.
Qëndrim tashmë i njohur i spanjollëve për shkak të problemve të brendshme me Kataloninë.
Çollaku në opinionin e tij shkruan se Kosova mbetet e angazhuar për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe vazhdimin e dialogut me shtetin serb.
“BE deri tani ka bërë vendime të mençura duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si një kusht i veçantë për pranimin e Serbisë në BE. Kosova është plotësisht e angazhuar për zbatimin me mirëbesim të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani, duke përfshirë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në pajtim me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë Çollaku
Madje këshilltari i presidentit ka paralajmëruar edhe tensione nëse Kosova mbetet jashtë kësaj strategjie
“Kjo mund të ndihmojë lehtë që të gjitha gjashtë vendet të kapërcejnë çështjet serioze bilateral nëse u ofrohet një perpsektivë e barabartë dhe e qartë për anëtarësim në BE. Përkundrazi mund të shkaktohen shumë tensione në rajon, nëse disa vende janë të avancuara, e disa mbesin prapa”, thotë Bekim Çollaku.
Ndryshe dje presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë një konference për media fajësoi politikën kosovare nëse Kosova nuk përfshihet në këtë strategji.
“Para kësaj, mund të them se është pamençuri e politikës kosovare nëse mbesim jashtë. Duhet kryer punët si ratifikimi i Demarkacionit”, tha Thaçi gjatë ditës së djeshme.
Mundësin e lënies jashtë kësaj strategjie të Kosovës, e kanë kritikuar edhe përfaqësues tjerë të institucioneve të vendit. /Lajmi.net/