Daci: Hashim Thaçit mund t’i kushtojë, por ushtria nuk na prish me Amerikën

Ish-Kryeparlamentari Nexhat Daci, në një intervistë për Gazetën Express, e ka quajtur veprim të qëlluar iniciativën e Presidentit Hashim Thaçi për transformimin e FSK’së. Ai thotë se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mërkurën, ka treguar se ka pasur unitet institucional, por jo edhe komunikim të mirë ndërmjet këtyre institucioneve. Daci, në një bisedë për Gazetën Express, të enjten, u ka kërkuar deputetëve që ta presin muajin prill për ta votuar ushtrinë.

 

Arsye për këtë, sipas tij, është se marsi nuk është ndonjë muaj paqësor për Kosovën e edhe për zhvillimet në Serbi.

Daci është i bindur se Kosova nuk do t’i prishë raportet me Amerikën për shkak të votimit për ushtrinë, por nuk është e sigurt për karrierën e Thaçit.

Vetë Daci e kishte pësuar nga përplasja me amerikanët në vitin 2006.

“Pësimi është gjithmonë i mundshëm”, thotë ai.

Gazeta Express: Si e cilësoni nismën e Presidentit Thaçi për themelimin e ushtrisë së Kosovës?

Nexhat Daci: Bindja ime e thellë është se propozimi i Presidentit është i qëlluar, sepse e ka edhe detyrë kushtetuese dhe ligjore, por unë e besoj dhe do të doja ta thosha këtë që muaji mars nuk është muaji i vendimeve të mëdha paqësore dhe substanciale për zhvillimin e shtetit, për shkak të shumë rrethanave të së kaluarës dhe për shkak të rrethanave që janë në fqinjësi.

Në bazë të përvojës shkencore që e kam në Akademi dhe universitet, do të thosha që mbledhja e seancës plenare në të cilën do të  debatohej ky ligj të mos ngjajë për pak javë jo për pak muaj dhe deri në prill do të kryhen disa procese në rajon që nuk janë të përshtatshme për vendime politikë të mëdha. Prandaj, e them që pjesa e parë e prillit do të ishte koha ideale kur deputetët dhe strukturat politike do të krijojnë një unitet veprues në dobi të shtetit, sepse një pjesë e madhe e kësaj garniture  të deputetëve e shohin vetëm interesin personal. Këto momente nuk janë momente kur dikush duhet të bëjë diçka për inatin e dikujt, janë momente vendimtare. Unë ju them që prej pas pavarësie kjo periudhë është më e ndërlikuara. Nuk është koha që shqiptarët ta shohin interesin personal apo grupor, por atë të shtetit.

Gazeta Express: Qeveria e Kosovës, me anë të një kumtese bëri të ditur se me datë 5 është njoftuar nga Presidenti Thaçi për nismën e tij për themelimin e ushtrisë. Pse sipas jush pse Thaçi nuk e njoftoi Isa Mustafën më herët për nismën e tij?

Nexhat Daci: Duket optikisht që për këtë çështje ka pasur unitet të tri funksioneve, Kuvendit, Presidencës dhe Qeverisë. Por, nuk ka qenë ndoshta një komunikim i duhur në vertikalen e Qeverisë. Dje në kryesinë e Kuvendit u pa një unitet. Është mirë të lëshohet pak topi dhe marsi të kalojë në këto vlerësimet e qeta brenda shtetit të Kosovës. Populli duhet ta dijë që liderët e vendit të tij janë të zgjedhur ndonjëherë edhe për vendime të rënda.

Gazeta Express: Si i cilësoni deklarimet e SHBA’ve dhe NATO’së rreth krijimit të ushtrisë? Si duhet të reagojë Kosova pas këtyre deklaratave?

Nexhat Daci:  Kosova nuk është e papërvojë dhe e pamend që t’i prishë raportet me SHBA’në dhe NATO’n. Unë fare nuk besoj në një prishje të raporteve, sepse një unitet që është ndërtuar që nga koha e luftës e deri më tash të gjitha të arriturat janë në koordinim dhe në bashkësi. Andaj prioritetet e NATO’s dhe SHBA’së sipas mendimit tim nuk janë në Kosovë të fokusuara, se Kosova nuk është problematike në asnjë mënyrë në raportet ndërkombëtare qenësore politike. Në problematikë është Beogradi dhe Shkupi.

Prandaj ne nuk duhet ta marrin barrën e tyre, por në asnjë mënyrë nuk duhet të hiqet dorë nga një politikë që është në interes të shteti, popullit. Dhe jo gjithmonë ajo që e mendon bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë ekzekutuese në Prishtinë. Ka ngjarë shpeshherë dhe gjithmonë e kemi pësuar për shkak të mendimeve të marra lehtë dhe shpejtë.

Gazeta Express: A mund t’i kushtojë kjo çështje presidentit Thaçi?

Nexhat Daci: Pësimi është gjithmonë i mundshëm. Por, një personalitet që mban mendim të vetin nuk do të jetë pa një faturë. Unë  nuk shoh ndonjë ngutim të presidentit. Për mua hapat në vendimet e mëdha duhet të jenë më të ngadalshëm në kuptimin e koordinimit me mjedisin e vet që e ka si pushtetmbajtës.

Gazeta Express: A është dashur që presidenti Thaçi ta presë listën Serbe që të rikthehet në Kuvend për ta impelementuar këtë nismë?

Nexhat Daci: Në asnjë mënyrë Presidenti nuk është dashur që ta presë Listën Serbe që të kthehet në Kuvend për të diskutuar me të për këtë çështje. Me e ftuar po, sepse e kanë edhe obligimin se paguhen nga buxheti i shtetit, por në asnjë mënyrë, në asnjë mënyrë asnjëherë dhe kurrë nuk mundet ta udhëheqë më komunitetin shumicë. Por ta pengojë zhvillimin e shteti një komunitet që dirigjohet nga Beogradi asnjëherë nuk duhet të ketë mundësinë. Mirëkuptim maksimal po dhe ofrim  të kushteve të punës po.  Asnjëherë nuk ka ngjarë që një komunitet pakicë ta pengojë zhvillimin e shtetit. Ata duhet të ndihen qytetarë të Republikës së Kosovës, e jo t’i pengojnë zhvillimet e shtetit.

Gazeta Express: Çka mendoni se do të ndodhë pas këtyre zhvillimeve, a do të themelohet ushtria?

Nexhat Daci: Me hapa më të qetë asgjë e keqe nuk do të ndodhë. Në asnjë mënyrë në rrethanat ekzistuese të fokusimit të Moskës, Uashingtonit dhe Brukselit nuk do të ketë ndryshime traumatike, që do të mund të shkaktojnë konflikt te ne. Çdo ndërhyrje që ka ndërmarrë shteti i Kosovës ka qenë i rrezikshëm, por rezultatet kanë qenë pozitive. Shpeshherë ju duhet të vini në situata ta testoni vetveten për ta parë sa jeni i qëndrueshëm për ndërtimin e shtetit dhe nganjëherë për këtë ia vlen të paguhet ndonjëherë fakturë.

Unë kam besim në vendimet e mëdha të Presidentit me të cilin kurrë nuk kam qenë në raporte dashurie me të  nuk njihet karriera ime me atë. Por ka pasur poteza që kanë qenë të rënda, por gjatë kohës vendimet shtetërore që Thaçi i jep më bëjnë të mendosh se ai është lideri numër një në Kosovë. Jo pse nuk ka të tjerë, por ai është pjekur nëpër beteja politike ku ka pasur shumë pësime, por ka pasur shumë dobi.

Gazeta Express: A ka dështuar shteti i Kosovës në kthimin e Haradinajt në Kosovë?

Nexhat Daci: Unë besoj që shteti për këtë rast nuk i ka shfrytëzuar mundësitë kushtetuese që ai i ka pasur. Unë nuk them t’i prishim marrëdhëniet diplomatike, por gjithmonë janë kanalet e mundshme të veprimit të shtetit. Me aktakuza të stërvjetëruara apo edhe të reja të rrejshme është dobësi e shtetit, institucioneve. Ramushit nuk është dashur që t’i ngjajë kjo dhe ai duhet të kthehet në Kosovë sa më parë.

Gazeta Express: Si i cilësoni deklaratat e opozitës kosovare se Kosova duhet t’i ndërpresë bisedimet me Serbinë?

Nexhat Daci: Ndalja e fletë-arresteve është urgjencë politike e shtetërore, por ajo nuk mund të manifestohet me një proces të cilin ti nuk e ke impelemntuar. Brukselin nuk e ka impelemtuar as Prishtina e as Beogradi. Është projekt shumë i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj me ndërpre nuk ndërpritet kaq lehtë. Institucionet e vlerësojnë që kjo periudhë është periudhë zgjedhore nuk shkon, por jo me e ndërpre. Ka politikanizëm pa substancë në këtë vend.

Gazeta Express: Çfarë qëndrimi keni për Demarkacionin, a mendoni se duhet të kalojë?

Nexhat Daci: Për demarkacionin duhet të krijohet unitet veprues, nuk është çështje veç e pozitës apo opozitës, territori i shtetit, ani që pozita i ka të themi numrat, nuk them a e ka mirë a keq se nuk jam ekspert, po për gjera të mëdha duhet të krijohet unitet, e njëjta gjë në një kohë para vitit 2006 kur Serbia i ka fal Maqedonisë mbi 3 mijë hektar tokë të Kosovës për me marr një manastir, 17 ose 18 parti politike kanë qenë në Parlament, kemi arritur njëzëri, edhe pse presionet kanë qenë enorme të mëdha se Këshilli i Sigurimit ja ka pranua atë vendim, na kemi pru vendim rezolutë unanime që nuk e  pranojmë, ani që s’na kanë pyet e kanë vazhdua.

Por nuk ka ma keq se nesër në histori të shkruhet se ti me qëndrimin tënd ke bërë gabime substanciale. Unë nuk them që është gabim demarkimi ose nuk është. Mënyra se si është udhëheq pozita e opozita për mua ka qenë joserioze dhe jo në nivelin e duhur të ndërtimit të shtetit.

Gazeta Express: Lidhur me këtë çështje a pritni që vendi të ballafaqohet sërish me trazira?

Nexhat Daci: Të them të vërtetën unë nuk mendoj që do të këtë trazira të mëdha substanciale siç kanë qenë përpara, unë gjithmonë e them në qoftë se sistemi politik të cilin e përbejnë pozita edhe opozita janë të unifikuar në substancë, asnjë vlerë nuk e kanë dënimet e jashtme, po në qoftë se ka kundërshtime këtu brenda atëherë është gjithmonë rreziku, mos të them të trazirave të mëdha të gjakderdhjeve, por jo të qetësisë, jo të qetësisë shpirtërore, se njerëzit që i kanë pas pronat qe njëqind vjet a dyqind vjet që i kanë, nuk e di a janë të dokumentuara a jo, po çdo proces që e shqetëson shumicën e popullatës, nuk them të deputetëve, duhet me qenë shumë të kujdesshëm, por në qoftë se është vërtet ashtu qysh thotë pozita, proceset duhet të vazhdojnë.

Gazeta Express: Kur besoni që duhet të vazhdojë ky proces, a duhet të kryhet shpejt?

Nexhat Daci: Jo, janarët edhe marset kanë qenë gjithmonë të përgjakshme për shqiptarët e Kosovës, kështu që për procese të mëdha duhet të relaksohemi brenda shtëpisë gjendja, sikur në familje, në qoftë se për një vendim babi është pro mami është kundër, një fëmijë pro një kundër, atëherë nuk duhet të merret vendim po duhet të punohet që me qenë shtëpia e rehatshme, shteti i rehatshëm.

Gazeta Express: Sa po mendoni që populli e ka humbur besimin në institucione?

Nexhat Daci: Unë mendoj që kohë më të papërshtatshme se tash për ta ngarkuar popullin nuk ka pasur kurrë, sepse diku prej ’68 kanë filluar protestat në Kosovë, ’81, para lufte dhe tash një pjesë e madhe e popullit është e lodhur, intimisht po ju them është e lodhur dhe nuk duhet çdo ditë të thirret në protestë, është pjesë demokratike ajo po rezultatet nuk shihen./GentianaHasani

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme