Ish-kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, do ta pranojë dekoratën që Presidenti Hashim Thaçi ka ndarë për të sikurse për qindra të tjerë me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Për dallim nga Daci, një pjesë tjetër e të dekoruarve kanë refuzuar të dekorohen nga ish-kryetari i PDK-së. Madje këtë e kanë bërë edhe disa ish-bashkëpunëtorë të tij të ngushtë
Nexhat Daci thotë se vetë është një nga themeluesit e institucioneve të Kosovës, ndaj edhe i respekton ato.
Njësoj thotë se do të veprojë edhe me rastin e dekorimit të tij nga ana e Presidentit Hashim Thaçi, në 10-vjetorin e Pavarësisë.
Ish-kryetari i Kuvendit konfirmon se do ta pranojë atë.
“Unë jam themelues i institucioneve, i respektoj institucionet, prandaj as nuk e kam refuzu as s’e kam ndërmend me refuzu”, tha Nexhat Daci të mërkurën për Gazetën Express.
Por, njësoj si Daci nuk kanë vepruar disa nga ish-bashkëpunëtorët e vetë Hashim Thaçit, të cilët kanë refuzuar dekoratat e tilla.
Jakup Kraniqi, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Hydajet Hyseni etj., i janë përgjigjur me refuzim dekorimit të Presidencës. Njësoj kanë vepruar edhe Veton Surroi, Rexhep Selimi, e bashkëshortja e Agim Zatriqit, sikurse edhe drejtuesit e gazetës “Koha Ditore” e radios “Kosova e Lirë”.
Arsyetimi i të gjithëve, pothuajse ishte se Thaçi nuk është i denjë për t’i dekoruar për kontributet e tyre për liri dhe shtetndërtim.
E refuzimet që iu bënë dekoratave të Presidentit, e kanë nervozuar atë. Thaçi ka reaguar të martën vonë në Facebook, duke thënë se personat që po pretendojnë se kanë refuzuar dekoratat presidenciale, në fakt janë veçse të propozuar për marrje të medaljeve në 10-vjetorin e Pavarësisë.
“Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar”, ka shkruar Thaçi.
“E kuptoj frustrimin e disave, por sipas kritereve të mia, nuk mund të jesh i dekoruar edhe nga shteti i Serbisë për kontributin e dhënë për Jugosllavinë dhe ai i Kosovës njëkohësisht. […] Të refuzuarit nuk do të marrin përgjigje publike, sepse nuk dua t’i lëndoj. Të dekoruarit do të njoftohen zyrtarisht”, shkruan Presidenti në reagimin e tij.
Megjithatë, në njoftimin e Presidencës, javën e shkuar, është bërë e ditur se emrat e shpërndarë për publik janë të dekoruar e jo të propozuar.