Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se Kosovës nuk po i shkojnë planet ashtu siç po i mendon.
Ai për mediat ka deklaruar që për Serbinë është e rëndësishme të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me presidentin e Amerikës, Donald Trump.
“Është e qartë se planet e udhëheqësve të prishtinë nuk po shkojnë siç po i planifikojnë. Ata mendojnë se nuk kanë nevojë për kompromise, por ne duhet të tregojmë se jo të gjithë do t’i përkrahin ata”, tha Daçiq, transmeton lajmi.net
Sipas kreut të diplomacisë serbe, Kosova hoqi dorë nga anëtarësimi në UNESCO dhe Interpol pasi nuk i kishin votat, e jo për ndonjë marrëveshje.
Ai foli edhe për raportet e vendeve tjera me Kosovën, ku tha se Turqia do të vazhdojë të jep përkrahje për institucionet kosovare.
“Serbia mund të shohë marrëdhënie të mira me SHBA-në vetëm nëse fokusohet te Trump dhe administrata e tij. Kjo do të thotë të fokusohemi te Tillerson dhe Pence, e jo në departamentin e shtetit”, tha ministri serb.
Sipas Daçiqit, për Serbinë është e nevojshme të mbajë kontakte me të gjitha vendet.