Daljet në pension 67 vjeç për të dyja gjinitë, Qeveria: Përpara vitit 2056!

BESARTA BASHA/ Sipas ligjit aktual të sigurimeve shoqërore, mosha e daljes në pension rritet me 2-3 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç për të dyja gjinitë në vitin 2056.


Por një gjë e tillë, duket se do të ndodhë më shpejt nga sa ishte parashikuar, me reformën e re të sigurimeve. Ndryshimet që po diskutohen aktualisht synojnë që kriteri i moshës 67 vjeç të arrihet më shpejt se vitit 2056, para vitit 2040. Çka do të thotë se ky ndryshim do të sjellë që kriteri i moshës të rritet me më shumë se 2-3 muaj në vit. Një reformë e madhe e sistemit të pensioneve u zbatua në vitin 2015 për t’u… lënë vendin një të reje pas një dekade.

Asokohe, reforma rriti gradualisht kohëzgjatjen e kontributit të kërkuar për një pension të plotë deri në 40 vjet deri në vitin 2032. Mosha e daljes në pension do të rritet në 67 vjeç deri në vitin 2056 si për burrat ashtu edhe për gratë. U vendos një pension social jo kontribut dhënës dhe u lidh ngushtë kontributi me pagat reale. Kohëzgjatja e kontributit për të pasur të drejtën e pensionit të plotë është aktualisht rreth 39 vjet aktualisht dhe kufiri për të përfituar një pension të pjesshëm është më i lartë se mesatarja e OECD (34 vjet për një pension të plotë dhe 13 vjet për një pension të pjesshëm).

ZV.MINISTRJA

Duke dashur të shuajë zërat për një rritje të beftë të pensioneve deri në 70 vjeç, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani shpjegoi dje në Komisionin e Ekonomisë disa pika mbi të cilat po punohet për reformën, duke u ndalur tek mosha. Manjani la të hapur mundësinë e përshpejtimit të zbatimit të skemës së rritjes së moshës, por jo përtej 67 vjeç.

“Një ndër propozimet e BB ka të bëjë edhe me propozimin për rritjen e moshës së pensionit. Ne e kemi kundërshtuar, pasi ky element është marrë parasysh në reformën e vitit 2014, ku ka nisur rritja për gratë dhe do të fillojë për burrat në 2032. Në vitin 2056 do të ketë barazim të moshës, 67 vjeç për secilën gjini. E vetmja që mund të ndryshojë është përshpejtimi në zbatimin e skemës së rritjes së moshës së pensionit”, – tha ajo. Zv.ministrja Manjani tha se rritja e të ardhurave ndikohet qoftë nga rritja e numrit të kontribuuesve, por edhe për shkak të rritjes së pagave. Me reformën e re, sipas saj, është propozuar lidhja e përfitimit me vitet e kontributeve.

“Skema e sigurimeve shoqërore u kthye në një skemë me mbulim universal. Në këtë kontekst është dhënë pension social si e drejtë për ta përfituar në moshën 70 vjeç. Nëse një pensionist nuk ka përmbushur vitet minimale të përfitimit të pensionit që janë 15 vite, për çdo lloj viti kontributiv nga 0 në 15, përfiton pensionin social”, u shpreh Manjani. Sipas saj, sugjerimi në këtë kontekst është lidhja e përfitimit të pensionit social me masën e viteve të kontributeve.

“Kush ka kontribuar më shumë ta përfitojë në një masë më të madhe dhe në një moshë më të hershme dhe kush ka kontribuar më pak ta përfitojë në një moshë mbi 70 vjeç dhe në një masë më të ulët. Ky është një element tjetër që po konsiderohet”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës, ajo hodhi poshtë mundësinë e uljes së viteve të punës për të përfituar pension, pasi sipas saj, kjo do të deformonte edhe më tepër skemën. Ajo shpjegoi edhe se pse vendet e rajonit kanë pensione më të larta. Sipas saj, këto vende periudhën e tranzicionit e kanë pasur të ndryshme nga vendi jonë.

“Deri në 2014 kishim skemë me tavane administrative për pensionin minimal dhe maksimal duke e dëmtuar atë pasi nuk lidhte masën e kontributeve kundrejt skemës me masën e përfitimit”, tha Manjani. Më tej, ajo u ndal edhe tek efektet e reformës së vitit 2014. Manjani deklaroi se rritja ekonomike, zhvillimi i tregut të punës dhe lufta kundër informalitetit kanë bërë të mundur që të ardhurat kontributive të rriten mbi 2.5 herë në krahasim me vitin 2013. Pra nga 51.3 miliardë lekë që ishin të ardhurat në skemën e sigurimeve shoqërore në 2013-ën, në 124 miliardë lekë në 2023 dhe 132 miliardë lekë që parashikohet të jetë deri në fund të vitit 2024.

Në raport me PBB, Manjani tha se të ardhurat kontributive janë rritur nga 3.81% në 5.39%, ose një rritje me rreth 1.6 pikë përqindje ndaj PBB. Sa i përket shpenzimeve të skemës, Manjani tha se janë rritur gjithashtu. “Nga 95.6 miliardë lekë në 170.2 miliardë lekë, ose rreth 75 miliardë lekë më tepër në këto 10 vitet e fundit. Të gjitha këto shpenzime janë transferuar në buxhetet familjare të qytetarëve. Në raport me PBB rritja e shpenzimeve është nga 7.08% e PBB në 7.38% e PBB-së, ose një rritje me 0.3% e PBB”,  tha Manjani.

/Gazeta Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme