Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka folur për databaza e të dhënave personale, ku ka komentuar me ironi duke thënë se e kanë në patronazh ‘’500 fuksa’’.
‘E kam atë, se e kam në celular, e përqafoj. Presidentin e kanë në patronazh nja 500 fuksa’,– tha Meta.
Presidenti Ilir Meta ka folur edhe për skenarë me qëllim blerjen e votave. Madje ai ka shkuar edhe më tej duke thënë se PS ka skenar për ndërhyrje në njësinë nr.10 ku pritet që të votohet elektornikisht.
Deklarata e Presidentit të Republikës Ilir Meta:
Në kuadër të mbrojtjes të integritetit të zgjedhjeve të 25 prillit, nga çdo lloj manovre mafioze apo krimi zgjedhor, sot i jam drejtuar zyrtarisht organeve të drejtësisë dhe institucioneve përgjegjëse të shtetit shqiptar, për të hetuar për një skandal të radhës, që ka marrëfatkeqësisht përmasa ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Si President i Republikës, jam vënë në dijeni të disa fakteve që lidhen me veprime të paligjshme që përbëjnë vepër penale dhe që mund kenë lidhje, të ndikojnë,apo të vënë në rrezik, integritetin, apo vetë rezultatin e zgjedhjeve, në procesin zgjedhor që zhvillohet në datën 25 prill 2021.
Nga të dhënat e siguruara dhe atyre të bëra publike, rezulton se, në Qarkun e Korçës, në disa bashki që janë të banuara kryesisht nga komuniteti i pakicës kombëtare maqedonase, shtetas me rekorde kriminale, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, apo të përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe të kërkuar ndërkombëtarisht, janë pajisur me pasaportë dhe dokumente identifikimi nga autoritetet vendore atje, jo me të dhënat e tyre, por duke përdorur të dhënat e identitetit të personave të tjerë të cilët nuk kanë probleme me ligjin.
Pra shtetas të huajapo dhe shqiptarë janë pajisur me dokumenta identifikimi të lëshuara nga gjendja civile shqiptare duke vjedhur identitetin e shtetasve shqiptarë me kombësi maqedonase, pa dijeninë e këtyre të fundit.
Këta persona, pas pajisjes nga shteti shqiptar me dokumente identifikimi, kanë vijuar me ndjekjen e procedurave edhe pranë shtetit të Maqedonisë së Veriut, e për shkak të mbajtjes së dyshtetësisë së personit që i është vjedhur identiteti, janë pajisur edhe atje me dokumente identifikimi dhe kanë vijuar lëvizjen e lirë për t`iu fshehur autoriteteve të ndjekjes policore apo të zbatimit të ligjit ndërkombëtar.
Nga ajo që është bërë publike Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, (Ministri i Brendshëm) janë shprehur se kanë zbatuar ligjin në lëshimin e dokumenteve duke mos mbajtur përgjegjësinë për falsifikimin apo rrëmbimin e identitetit të shtetasve shqiptarë në Republikën e Shqipërisë, përmes dokumenteve zyrtare të lëshuara po nga ana e institucioneve shqiptare.
Ky rrjet dhe kjo veprimtari e paligjshme është zbuluar në disa vende europiane.
Çështja, që ka marrë përmasat e një skandali institucional dhe është bërë objekt debati publik në Maqedoninë e Veriut dhe nga të dhënat e bëra publike nga autoritetet atje, duket qartë se origjina e këtij fenomeni rëndon pjesërisht edhe ndaj autoriteteve përgjegjëse në Republikën e Shqipërisë dhe kjo është baza e shqetësimit tim.
Disa prej personave të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti të pajisur me dokumente të falsifikuara në shtetin fqinj, janë pajisur fillimisht me dokumente identifikimi shqiptare në Bashkitë Korçë, Pustec dhe zyrat përkatëse të gjendjes civile apo të prodhimit të dokumenteve të identifikimit në këto bashki.
Linja e veprimeve të paligjshme mund të ngjitet edhe në nivele qendrore, deri në përfshirjen e punonjësve, apo të individëve brenda institucioneve të tjera si, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, zyra e legalizimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, organizata jo fitimprurëse që veprimtarinë e tyre e lidhin me fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së pakicave kombëtare.
Në Maqedoninë e Veriut, janë arrestuar disa funksionarë shtetërorë, policë dhe hetimet po vijojnë!
Nuk më shqetëson vetëm hedhja e idesë në publik dhe në arenën ndërkombëtare, përballë partnerëve tanë strategjikë, sidomos në fushën e sigurisë, se në Shqipëri çdokush mund të pajiset me dokument identifikimi e të lëvizë lirisht, pavarësisht se është në ndjekje apo në kërkim ndërkombëtar.
Por si President i Republikës, në veçanti në këto momente, përpara zgjedhjeve mjaft të rëndësishme dhe historike të 25 prillit, kam shqetësimin se, nisur nga situata e krijuardhe faktit se krimi zgjedhor në Shqipëri është një fenomen që ka bashkëpunëtorë dhe autorë të niveleve më të larta, veprimi kriminal i vjedhjes së identitetit të një shtetasi shqiptar, mund të jetë shndërruar edhe në një mekanizëm lehtësisht të shfrytëzueshëm nga elementë kriminalë këtu në Shqipëri, me qëllim ndërhyrjeje në procesin zgjedhor, përmes votimit të një personi disa herë, me mjete të ndryshme identifikimi të marra në këtë mënyrë, pra të vjedhura, duke votuar dhe në emër të emigrantëve që nuk kanë mundësinë të vijnë në atdhe për të ushtruar të drejtën e votës.
Patjetër që mund të ketë dhe zyrtarë apo shtetas shqiptarë që kanë konsumuar disa vepra penale, nga:
Veprimet që lehtësojnë trafikimin
Falsifikimi i dokumenteve
Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave,
Falsifikimi i akteve të gjendjes civile
Shpërdorimi i detyrës
Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve.
U bëj thirrje të gjithë nëpunësve dhe zyrtarëve shtetëror, të kenë kujdes!Të mos rëndojnë përgjegjësinë e tyre dhe as mos t`u shkojë nëpër mend të paraqiten në qendrat e votimit, e kam fjalën për të gjithë shqiptarët që mund të jenë përfshirë në këtë proces, me dokumente identifikimi të rreme, të vjedhura, apo duke përdorur dokumente të zgjedhësve të tjerë!
Kushdo që do guxojë, do mbajë përgjegjësi, nga i pari tek i fundit!
I kam kërkuar sot organit të Prokurorisë, organeve të tjera ligje zbatuese në vend, KQZ-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, të nisin menjëherë hetimet dhe verifikimet përkatëse, duke marrë pa vonesë masat e domosdoshme për të siguruar më shumë të dhëna e prova për këtë veprimtari të paligjshme dhe kriminale, por edhe për të ruajtur të pacenuar në kohë, integritetin e procesit zgjedhor.
I bëj thirrje çdo funksionari publik, të tregohet i përgjegjshëm dhe vigjilent dhe të denoncojë pa hezitim çdo veprim që cenon të drejtën për zgjedhje të lira e të ndershme.
Një vend pune, nuk vlen kurrë sa e ardhmja e Shqipërisë, nuk vlen kurrë sa e ardhmja europiane e të shqiptarëve, jo vetëm të atyre sot, por edhe të brezave që vijnë!
Kush falsifikon, kush tenton të tjetërsojë dhe të prekë votën, do ta ketë vendin në burg!
Ndaj të mos ndihen të intimiduar nga askush dhe asgjë!
Presidenti i Republikës është në detyrë dhe në monitorim të çdo situate që zhvillohet dhe të mënyrës se si institucionet shtetërore reagojnë apo ndërveprojnë, për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor në kohë.
Justifikimet nuk pranohen, alibitë kurrsesi.
© SYRI.net