Gazetar: Zekirija Haxhiu
Asnjë vlerësim pozitiv nuk u tha në debatin e sotëm për ligjin e ri për shërbim gjyqësor dhe shërbim të Prokurorisë, nga nëpunësit e gjykatave dhe prokurorive të vendit si dhe nga vetë gjykatësit dhe prokurorët. Për pjesëmarrësit në debatin rreth këtij ligji, assesi nuk është e pranueshme që nëpunësit në Gjyqësor të trajtohen si nëpunës administrativ sepse ky sistem vështirëson dhe pamundëson punën. Vërejtje ka mbi mënyrën e përllogaritjes së pagës dhe mbi shfuqizimin e disa shtesave për punën e tyre.
“Propozim ligji jo vetëm që nëpunësit i trajton si nëpunës administrativ por shkon më tej duke i ndarë në nëpunës gjyqësor dhe shtetëror. Kjo zgjidhje ligjore nuk është e mirë sepse rregullorja e nëpunësve shtetëror nuk është e zbatueshme në gjyqësor. Vërejtja tjetër ka të bëjë me mos përllogaritjen e konceptit të pagës sipas pagës bruto në shtet dhe koeficientit për detyra të komplikuara në vendin e punës. Është shfuqizuar shtesa për rrezik të lartë në punë ndërsa gjatë suspendimit apo grevës do të paguhen 60% nga paga në vend se 80%”, tha Hristina Pallçevska nga Gjykata Themelore e Shkupit.
“Mua kjo më duket sikur dikush ka marrë ligjin për nëpunës administrativ, ligjin për shërbim gjyqësor dhe ligjin për shërbim në Prokurori, i ka vendosur në CHAT GPT dhe ka dalë ky propozim ligj. Shoh se në tekst shkruan se nuk ka implikime financiare ndërsa lexova se do të ketë rritje pagash për shkak marrëveshjeve kolektive. Nëse u pengojnë marrëveshjet, do ti shfuqizojmë dhe ktheni llogaritjet dhe rritjet e pagave siç ishte në tekstet e ligjeve që i punuan grupet punuese”, theksoi Trpe Deanoski nga Sindikata e Pavarur e Organizatave Gjyqësore
“Çdo prokuror publik e di se nuk ka hetim të suksesshëm, nuk ka akuzë, nuk ka lëndë, nuk ka punë financiare, sistem informativ, thjeshtë nuk ka prokurori pa këta njerëz që qëndrojnë prapa këtyre proceseve. Lexojmë për pavarësi e në praktikë shohim mekanizma të kontrollit. Lexojmë për reforma por në praktikë shohim kozmetikë. Lexojmë për përforcim të kapaciteteve e në praktikë shohim braktisje të kuadrit. Ajo që nuk ka implikime financiare flet më shumë se 50 faqe tekst, shohim se dikush është kujdesur të mos dëmtohet buxheti”, deklaroi Fatime Fetai, kryeprokur.
U theksua deficiti i kuadrit në Gjyqësor dhe Prokurori ku siç theksoi prokurorja Fetai, të punësuar janë vetëm 340 nga 1100 të nevojshëm. Mungesa më e madhe ishte tek informatikanët ndërsa u kritikua ajo që nëpunësve nuk u mundësohet avancimi në detyrë pasi për pozita më të larta, hapen konkurse publike. Zv.ministri i drejtësisë Alen Dereban i dëgjoi të gjitha kritikat dhe disa prej tyre i pranoi duke paralajmëruar se do ti shqyrtojnë dhe do t’i shndërrojnë në amandamente gjatë procedurës së miratimit në Kuvend. Qëllimi i Qeverisë sipas tij, është të rregullohet statusi i veçantë i të punësuarve në shërbimet e Gjyqësorit dhe Prokurorisë. Leximi i dytë siç paralajmëroi kryetari i komisionit, do të mbahet të hënën më 22 qershor. Ligji është në pakon e ligjeve nga Agjenda e reformave. /Alsat.mk
The post Debat për ligjin për shërbim gjyqësor dhe të prokurorisë, shumë kritika e asnjë vlerësim pozitiv appeared first on Alsat.



