Dega e LDK-së në Vushtrri do e mbështet Abdixhikun

Pas publikimit të kandidaturave për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtari i LDK-së dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, e ka shprehur përkrahjen e tij për kandidaturën e Lumir Abdixhikut për kryetar të ri të kësaj partie.

Tahiri ka thënë se më 14 mars, ditë kjo kur do mbahet Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, ky subjekt politik nuk do t’i përsëris gabimet që janë bërë në të kaluarën.

 Xhafer Tahiri, i cili është edhe kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, tha se nga takimet që kanë zhvilluar është e qartë se si degë do e mbështesin Abdixhikun për kryetar të kësaj partie.

Ai u shpreh optimist se delegatët e LDK-së që do të dalin para kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësin e tyre do zgjedhin rrugën e duhur për të ardhmen e LDK-së.

“Nga kandidatura që kemi parë tani të zotëri Lufti Hazirit dhe zotëri Lumir Abdixhikut por besoj që është e qartë që dega jonë në bazë të asaj që thash dhe deklarova dhe takimeve që kemi mbajtur dhe personalisht do përkrahim kandidaturën e Lumir Abdixhikut për kryetar të LDK-së. LDK është para një vendimi tepër të rëndësishëm më 14 mars dhe unë kam besim që delegatët e LDK do zgjedhin rrugën e duhur për të ecur përpara. Këto zgjedhje nuk janë për të mohuar të kaluarën e LDK-së, nuk janë për të ndryshuar të kaluarën e LDK dhe nuk janë për të mohuar kontributin e askujt brenda LDK-së. Këto janë zgjedhje për të ardhmen e LDK-së dhe Kosovës. Prandaj, personalisht por edhe dega e LDK-së në Vushtrri, përkrahin një ndryshim rrënjësor në këto zgjedhje në Kuvend, do deklarohemi me votë pavarësisht nëse do jetë votë e fshehtë”, theksoi ai.

Se a do prodhojë përçarje brenda LDK-së dita e diel kur do të mbahet Kuvendit Zgjedhor, anëtari i Këshillit të Lidhjes, Xhafer Tahiri ka uruar që mos të ndodh kjo gjë pasi vlerësoi se do ishte fatkeqësi e madhe për këtë subjekt politik.

Ai po ashtu tha se nuk beson që ka klane brenda partisë, pasi klanet e mëhershme thotë se e sollën LDK-në këtu ku është sot.

“Uroj të mos ndodh kjo gjë, do ishte fatkeqësisë shumë e madhe për LDK-në dhe për Kosovën që vullneti i votuesve të LDK-së për ndryshim, vullneti i anëtarësisë për ndryshim të deformohej në kutin e 14 marsit që do të vendos në Kuvendin e LDK-së. Uroj që të gjithë në emër të asaj dashurie që e kanë për LDK-në, për këto 30 vite për LDK-në, të reflektojnë dhe të mundësojnë që ajo që është sot ndjesi dhe kërkesë e shumicës absolute të elektoratit të LDK-së të përkthehet në kutinë e votimit më 14 mars, ndryshe do jetë jashtëzakonisht problematike për LDK-në. Unë nuk dua të besoj që ka klane, sepse ato klane e kanë sjell LDK-në këtu, në fakt ne duhet të hapim një diskutim brenda LDK-së që të sjellim sistemin ‘një anëtar, një votë’ pasi të zgjidhet kryetari i ri në dy vitet e ardhshme ne duhet të diskutojmë që të kemi ‘një anëtar, një votë’ në mënyrë që LDK t’i kthehet votuesit, qytetarit dhe çdo anëtari i LDK të ketë hisen e vetë në zgjedhjen e kryetarit të LDK edhe në nivel qendror por edhe në nivel të degëve”, deklaroi ai.

Ai shpreson se më 14 mars nuk do i mohohet askujt kandidimi dhe do të jetë një proces demokratik, pasi siç tha ai gabimet e të kaluarës nuk duhet të përsëritën.

“Ne do shohim të dielën më 14 marsi që do jetë një proces festiv zgjedhor brenda LDK-së, absolutisht askujt nuk do i mohohet e drejta e kandidimit, të gjitha kandidaturat do votohen edhe neni famëkeq 25.2 do të tejkalohet në Kuvend, pra nuk do ketë mohim të kandidaturës së askujt, sepse gabimet e të kaluarës nuk mund të përsëritën më. Ka qenë gabim në të kaluarën ajo çfarë ka ndodhur, kam qenë kundër atyre veprimeve personalisht si individ, dhe tani si kryetar i degës, do i kundërshtoj prapë mohimin e kujtdo qoftë dhe pastaj do jetë votimi i fshehtë që do të përcaktojë se kush do jetë kryetari i ri i LDK-së”, u shpreh Tahiri.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri, më 14 mars të këtij vitit. Deri tek zgjedhja e kryetarit të ri erdhi pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 14 shkurt ku si pasojë dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Më 14 mars 355 delegatë nga 38 degë të kësaj partie nëpër të gjitha komunat do të mblidhen për ta dhënë votën e tyre.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme