Turi i dëgjesave publike të Komisionit të Këshillit Bashkiak për reformën administrativo-territoriale është ndalur mbrëmjen e sotme në Njësinë Administrative Tërbuf, ku në fokus ka qenë edhe diskutimi për të ardhmen e Bashkisë Divjakë.
Komisioni, i kryesuar nga kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorreja, ka kundërshtuar propozimet e Komisionit Mazniku për riorganizimin territorial dhe veçanërisht mundësinë e shkrirjes së Bashkisë Divjakë dhe bashkimit të saj me Bashkinë Lushnjë.
Gorreja ka deklaruar se Komisioni Mazniku e ka bazuar propozimin për ndryshimin e hartës territoriale vetëm në një “fotografi” të situatës së vitit 2025, pa marrë në konsideratë një sërë kriteresh dhe, mbi të gjitha, perspektivën e zhvillimit të Bashkisë Divjakë ndër vite.
Sipas kryetarit të bashkisë, përpara çdo vendimi duhet të merren në konsideratë tregues konkretë, ndërsa ai ka renditur si faktorë të rëndësishëm numrin e popullsisë, të ardhurat ekonomike dhe zhvillimin në rritje të zonës.
Gjatë fjalës së tij, Gorreja ka argumentuar se këta janë tregues që duhet të peshojnë në vlerësimin e së ardhmes administrative të Divjakës dhe se vendimmarrja nuk mund të mbështetet vetëm në të dhënat e një viti të vetëm.
Kundër shkrirjes së Bashkisë Divjakë janë shprehur edhe të pranishmit në sallë. Banorët kanë kundërshtuar njëzëri mundësinë e bashkimit me Bashkinë Lushnjë, duke kërkuar që Divjaka të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë administrative.
Në diskutimet e tyre, banorët janë ndalur kryesisht te problemet që hasin në përditshmëri, duke vënë në dukje mangësitë në infrastrukturë, shërbime dhe nevojën për investime e përmirësime në zonat ku jetojnë.
Ata kanë argumentuar se problematikat ekzistuese nuk zgjidhen përmes shkrirjes së bashkisë, por përmes përmirësimit të shërbimeve dhe investimeve në infrastrukturë.
Dëgjesat publike për reformën administrativo-territoriale do të vijojnë edhe në njësitë e tjera administrative të Bashkisë Divjakë. Takimet e radhës do të zhvillohen në Grabjan, Gradishtë dhe Remas, ku pritet të mblidhen edhe qëndrimet e banorëve për të ardhmen e ndarjes administrative të territorit.
The post Dëgjesat për ndarjen territoriale/ Divjaka kundër shkrirjes me Lushnjën, Gorreja: Po vendosin vetëm mbi një “fotografi” të 2025 appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



