Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se marrëveshja e arritur me Serbinë më 18 mars në Ohër përmban edhe Asociacionin brenda.
“Në marrëveshje ka Asociacion. Neni 10 e thotë se të dy palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e kaluara që janë të obligueshme. Pra janë 39 marrëveshje që duhet të zbatohen. Janë marrëveshje si ajo për kthimin e librave kadastralë që është e pesta në listë”, deklaroi kryeministri Kurti.
Ndërsa kryeparlamnetari Glauk Konjufca, ka paralajmëruar zgjedhje të reja në rast se Kosovës i kërkohet formimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive.
“Garancitë janë të forta që do të jetë një lloj i diçka si forum për trajtimin e interesave të serbëve. Një entitet i cili është monoetnik, e i cili është bartës i pushtetit publik dhe për të cilin nga Kosova kërkohet me e ndryshu kushtetutën, unë mendoj që kjo është vijë e kuqe, dhe atëherë duhet të ngulim këmbë, atëherë nuk ka lidhje as nëse flasim për këso e aso parametra. Qeveria e Kosovës nuk ka kuptim, nuk ka kuptim më as parlamenti i Kosovës dhe menjëherë vendi duhet me shku në zgjedhje për mendimin tim”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
E sipas analistit politik Nexhat Haziri, paralajmërimi i Konjufces për zgjedhje të reja është një deklaratë e pjekur, përderisa kryeministrin Kurtin e quan mashtrues pas pranimit se në marrëveshje ka edhe Asociacion.
“Nëse do të kishim një politikbërje të përgjegjshme dhe korrekte me qytetarët, partia në pushtet e cila e ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit, duke përdorur edhe mjete dhune, dhe pikërisht kauza e VV-së se nuk do të ketë Asociacion e solli në pushtet, dhe bazuar në këto e shohë si reale dhe politikisht të pjekur deklaratën e kryekuvendarit Konjufca se në rast të një asociacioni me kompetenca ekzekutive, e që realisht po ndodhe, vendi duhet të shkoj në zgjedhje, pasi VV-ja dhe kryeministri aktual z. Kurti nuk kanë legjitimitet qytetar e as politik për ta formuar një asociacion në bazë të marrëveshjes së Ohrit, të ashtuquajtur “Vet-menagjim “ për serbët në Kosovës, që tejkalon marrëveshjen mbi parimet të nënshkruar në vitin 2015”, thotë Haziri për “Bota sot”.
“Kurti e pranoi se marrëveshja e Ohrit ka asociacion, por nuk kërkoi falje qytetarëve të Kosovës për ato vite të kundërshtimit të tij, për vitet e humbura të Kosovës, për njerëzit e vdekur në kundërshtim të kësaj kauze, që në fund doli se ishte vetëm pjesë e fushatës zgjedhore dhe nevoja partiake e elektorale për të ardhur në pushtet. Ishte mashtrim”, shton Haziri.
Më tej, ai shprehet i bindur se vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, dhe shkaku kryesor do të jetë Asociacioni.
“Dhe e unë jam i sigurt se vendi do të shkojë në zgjedhje, kryeministri Kurti, do të ikë nga përgjegjësia për ta krijuar asociacionin dhe është pikërisht ai që vendin do ta qojë në zgjedhje, pasi mendoj se më nuk ka asnjë kartë me të cilën ai do të mund ta vazhdoj mashtrimin e tij, duke marrë parasysh dështimin e qeverisjes së tij në të gjitha sferat e jetës në Kosovë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.