Ambasadori amerikan Greg Delawie, i cili ka sugjeruar që të zgjidhet situata e krijuar në Kosovë, pa ndërhyrje nga të huajt, ka folur edhe për dialogun me Serbinë.
Delawie ka potencuar se ai për momentin ka ngecur dhe ka inkurajuar palët që të vazhdojnë tutje me këtë proces.
“Nuk e di se çka ka saktë në mendje presidenti Vuçiq, por sigurisht jam i lumtur që po e dëgjoj duke folur për kompromis dhe pranim të realitetit. Sigurisht që për Kosovën dhe Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është thelbësor që ato të dyja të përparojnë drejt institucioneve evropiane, për të cilat flasin të dy vendet”, ka thënë Delawie për KTV.
Sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka sjellë përfitime të vërteta pozitive për Kosovën, siç thotë ai janë “mbledhja e taksës doganore në kufirin verior, integrimi i Policisë, e gjëra të tilla”.
“Nuk mund të mohoni se kohëve të fundit dialogu ka ngecur. Mendoj se është shumë me rëndësi, të paktën për interesat e Kosovës, që dialogu të rimarrë energji dhe që të dy vendet të punojnë drejt normalizimit, të cilit i janë përkushtuar”, ka përfunduar Delawie.