Delegacioni i RMV-së udhëton në Uashington për Samitin e NATO-s

Gazetar: Suad Bajrami

Kryeministri Hristijan Mickoski, në shoqëri të ministrave të Jashtëm, të Brendshëm dhe të Mbrojtjes, do ta udhëheqë delegacionin në Samitin e NATO-s në Uashington, i cili do të mbahet prej 9 deri më 11 korrik. Ndërkohë në kuadër të Samitit, në Uashington do të qëndrojë edhe kreu i kuvendit Afrim Gashi, i cili merr pjesë në Asamblenë parlamentare të Aleancës. Në samit, në të cilin do të marrin pjesë krerët e 32 shteteve anëtare, do shënohet 75 vjetori i themelimit të aleancës më të madhe ushtarake në botë, në të cilën do të diskutohet për të gjitha problemet dhe sfidat me të cilat përballet NATO.

Vizita e Mickoskit, siç informojnë nga qeveria, ka për qëllim që t’i përforcojë marrëdhëniet me SHBA-në, ta afirmojë Maqedoninë si partner stabil dhe t’i promovojë mundësitë ekonomike të vendit para investitorëve amerikanë. Në kuadër të vizitës, nga qeveria paralajmërojnë se delegacioni pritet që të marrë pjesë edhe në ngjarje tjera, dhe do të ketë një sërë takimesh me zyrtarë të vendeve të tjera.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunksi nëpërmjet një deklarata ka theksuar se Maqedonia vazhdon të jetë partner i besueshëm i aleancës.

“Ngjarja është mundësi e shkëlqyer ta demonstrojmë unitetin e të gjithë aleatëve dhe angazhimeve të përbashkëta për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit transatlantik. Ne edhe më tej vazhdojmë të jemi aleat i besueshëm i NATO-s me më shumë se 2% të BPV-së në investime në mbrojtje, por edhe me mbështetjen të cilët e japim për Ukrainën”, tha Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë.

Për politikën e vendit, Samiti do të ketë në fokus edhe çështjet bilaterale të vendit me atë të Greqisë dhe Bullgarisë. Në Samit pritet të marrë pjesë edhe kryeministri grek Kirijakos Micotakis, por nuk ka paralajmërim për takim me kreun e qeverisë së vendit, në lidhje me çështjen e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës.
Micotakis, paraprakisht paralajmëroi Mickoskin për pozitë shumë të pakënaqshme në Samitin e NATO-s, nëse vazhdon të insistojë me të njëjtën retorikë për emrin. Mickoski nga ana tjetër, tha se po përgatitet për sfidën dhe të diskutojë gjithandej me argumente.

Nga ana tjetër, zëri më i ashpër i politikës bullgare përballë kontestit të hapur me Maqedoninë e Veriut, presidenti Rumen Radev, do ta bojkotojë Samitin. Në vend të tij, do të marrë pjesë u.d. kryeministri Dimitar Gllavçev. Radev, i cili cilësohet si pro-rus në qëndrimet e tij, anulimin e pjesëmarrjes e arsyeton me atë që nuk është konsultuar për një dokument që duhet të prezantohet në Samit, në të cilin theksohet qëndrimi zyrtar i Bullgarisë për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe obligimet e aleancës që t’i ndihmojë Kievit./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme