Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj gjatë ditës së djeshme është takuar me ministrin e Punëve të Jashtëm të Malit të Zi, Serdan Darmanoviq në zyrën e këtij të fundit në Podgoricë.
Kështu kanë bërë të ditur për “Gazeta Blic” burime të afërta me zëvendëskryeministrin Limaj. Në këtë takim, sipas burimeve të njëjta janë shqyrtuar mundësitë që i kanë para vetës të dy shtetet për zhbllokimin e situatës, së demarkimit të kufirit.
“Limaj dhe Darmanoviq kanë diskutuar disa opsione për daljen nga ky ngërç. Zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët”, kanë thënë për “Gazeta Blic” burime brenda këtij takimi.
Siç mëson “Gazeta Blic” me ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacion në Kuvendin e Kosovës, Mali i Zi do të mbështesë rishqyrtimin e marrëveshjes për gabimet eventuale që mund të kenë ndodhur në këtë proces
Ndryshe, marrëveshja për Demarkacion është kundërshtuar vazhdimit nga AAK dhe Vetëvendosje që nga nënshkrimi i saj në Vjenë në gusht të vitit 2015. Këto subjekte politike, kundërshtimin e tyre e kanë arsyetuar se marrëveshja e Vjenës i humb Kosovës rreth 10 mijë hektarë territor.
Deputetët e opozitës nga legjislatura e kaluar, pretendonin se me Marrëveshjen e vitit 2015, për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor. Pjesë e opozitës së atëhershme ishte edhe kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, i cili njihet për kundërshtimin e versionit të marrëveshjes aktuale për Demarkacionin me Malin e Zi.
Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, besohet se po e mban peng procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ngase Komisioni Evropian e ka vënë atë si kusht që Kosova duhet ta përmbushë për heqjen e vizave./Gazeta Blic/