Demarkimi i një regjimi

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, përtej 8200 hektarëve tokë si humbje që na kanos, ngërthen të tashmen që e qartëson të shkuarën e ngritjes së Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës në pushtet. Aktualisht, shumë më tepër sesa vijën e fundit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, çështja e demarkacionit shënjon pikën fundore të tyre në politikë.

Për rrjedhojë, rënia e demarkacionit Kosovës i sjell dy të mira në një rrugë: shpëtimin e 8200 hektarëve tokë, pika strategjike e burime ujore, si dhe rënien e kësaj Qeverie e sidomos fundin e Hashim Thaçit si nënshkruesi i kësaj marrëveshjeje të dëmshme.

Pushteti plaçkitës në planin e brendshëm i Hashim Thaçit, e nënshtrues kundrejt Serbisë, i mbështetur në koncesione të vazhdueshme për Serbinë, që ishte shndërruar në kusht të domosdoshëm për mbetjen e tij dhe të PDK-së në pushtet, e së fundi edhe LDK-në e Isa Mustafës, ka hasur në gozhdë me demarkacionin. Tejkalimi i gjithë kësaj, siç po mëton binomi Mustafa-Thaçi, do të ishte humbje shtetërore e kombëtare për të shpëtuar pushtetin e tyre antishtetëror.

Tanimë, askush nuk ka mëdyshje për humbjen e territorit që pëson vendi nga marrëveshja në tentativë për demarkacionin me Malin e Zi. Isa Mustafa e Hashim Thaçi janë më të bindurit për këto humbje. Këta, e dinin që nga fillimi, vetëm se besuan se kjo marrëveshje do të kapërcente pa u vënë re sa duhet dhe nga të gjithë, siç kanë bërë jorrallëherë gjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë vjetëve. Kësaj here u demantuan jo vetëm nga opozita, por nga të gjitha anët, duke përfshirë deputetë të partive të tyre, ekspertë e studiues, qytetarë e banorë të zonës.

Frikë dhe drithërimë pluskon në ambientet ku vërtiten Isa dhe Hashimi përgjatë këtyre dymbëdhjetë muajsh, të cilët kaherë po shpërndajnë e ndajnë copëza territori e sovraniteti si çmim për të mbetur në pushtet. Paradoksalisht, pushteti institucional në Kosovë nga një element që duhej të ishte i subjektivitetit shtetëror që ngërthen vullnetin e popullit, jo vetëm për nga mënyra e konstituimit, por sidomos për nga ushtrimi i tij, është kthyer në një “public enemy” që po vegjeton në kurriz të sovranitetit shtetëror.

Çmimi që ngriti dhe mbajti këta në pushtet, që sot është demarkacioni e “Zajednica” në tentim, dje pa dyshim ishin decentralizimi mbi baza etnike, eksterritorialiteti i kishave dhe manastireve, legjitimimi i strukturave paralele serbe, Gjykata Speciale, negociatat e dialogu politik me Serbinë për çështje tërësisht të brendshme të vendit.

Të turbulluar nga të ndierit e rënies së tyre, ata nuk po honepsin asnjë fakt e argument. Kështu të paargument e të frustruar, ata po janë përherë të gatshëm për të fajësuar, fyer e poshtëruar të gjithë ata që një mënyrë apo tjetër e zbardhën skemën e faljes së 8200 hektarëve. Pa dyshim që nga pikëpamja e tyre për të mbetur në pushtet me çdo kusht, edhe me kushtin që e vetmja gjë që mbetet në Kosovë të jetë vetja dhe pushteti i tyre, të gjithë të tjerët, duke përfshirë edhe mbi 200 mijë qytetarë që nënshkruan peticionin, duhet të vizitohen në institute shëndetësore private a publike si parakusht i justifikimit të eliminimit të tyre. Kësisoj, janë “të sëmurë” gjithë ata të cilët refuzojnë të ngarendin të përulur pas “s’mundjes” së tyre nënshtruese të të falurit tokë shtetërore e të lëshuarit pe Serbisë në gjithçka e çdo gjë. Deklarata e Isa Mustafës se ekspertët-profesorët, të cilët me argumente po e kundërshtojnë demarkacionin, “duhet të vizitohen në institucione shëndetësore”, nuk është tjetër veç një kërcënim i butë prej autokrati për të mundësuar mosekzistencën e këtyre profesorëve!

Me rrëzimin e Marrëveshjes për Demarkacionin pashmangshmërisht bien edhe Thaçi e Mustafa. Për t’i dhënë fund këtij regjimi antipopullor e antishtetëror koha ishte kurdo, por pikërisht tani është momenti më i përshtatshëm që duke shpëtuar 8200 hektarë tokë, shpëtojmë edhe nga kjo mendësi qeverisëse përndjekëse.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme