Demokratizimi dhe ‘kanalizimi’ i shoqërisë shqiptare në Maqedoni, si dhe plani djallëzor i LSDM – së për shkatërrimin e indit politik shqiptar

Analizë nga portali Sakte.net

Siç duket ne zgjedhjet e ardhshme vendore, shqiptarët e Maqedonisë do kenë përzgjedhje më të begatë të kandidatëve se sa kurdoherë më parë. Kësaj radhe ata do mund të votojnë për kandidatët e partive të veta shqiptare, si dhe për shqiptarët që do i kandidojë dhe do t’i përkrahë LSDM’ja. Andaj, beteja ndërpartiake pritet të jetë shumë më e ashpër se kurdo herë më parë

Kur jemi te LSDM’ja maqedonase – e cila siç duket ka ambicie ta rindërtojë ‘bashkim-vëllazërimin’ e dikurshëm socialist, e ku do dihet cili është vëllai i madh – duhet thënë se shumëçka tregon se qëllim kryesor i saj është zhbërja e partive shqiptare. Kjo për arsyen se LSDM partitë shqiptare e jo nacionalizimin maqedonas, i konsideron si pengesë kryesore në rrugën drejt realizimit të Maqedonisë ‘qytetare’.

Gjithashtu, duhet thënë se në këtë betejë të saj për shkatërrimin e indit politik të shqiptarëve të Maqedonisë, LSDM’ja ka në shënjestër forcat opozitare shqiptare, në krye me Lëvizjen Besa. Gjë që i shkon për shtati edhe BDI’së e cila nuk ia doli t’i mbrojë shqiptarët e Maqedonisë nga kurdisjet policore dhe nga proceset e montuar gjyqësore, e lëre më ta ngrisë standardin e tyre jetësorë.

Derisa flasim për LSDM’në, e cila e stimulon ‘avancimin’ e shqiptarëve në ‘qytetarë’ , duhet pranuar se ajo bëri atë që ia mundësoi BDI’ja: të tregohet si mbrojtëse e shqiptarëve dhe të bëjë atë që munden vetëm partitë e këtushme sunduese maqedonase – ta burgosin e ta lirojnë nga burgu shqiptarin kur të duan dhe sa herë të duan. Gjë që e krijoi bindjen tek shqiptarët e Maqedonisë se se ‘Hasani’ vlen vetëm aq përderisa atë e përkrahë dhe e mbron ‘Stojani’!

Zgjedhjet e ardhshme vendore në Maqedoni do kenë shumë të veçanta që do dallojnë nga gjitha të mëparshmet. Kësaj radhe duhet pritur se ato do të jenë edhe më të ashpra ngaqë do jenë vendimtare lidhur me atë sa LSDM’ja do të mbetet parti maqedonase me shqiptarë ‘qytetarë’ në radhët e saj. Duke e ditur këtë, LSDM’ja qeveritare maqedonase do bëjë çmos që t’i afirmojë ‘qytetarët’ shqiptarë. Dhe për ta arritur këtë qëllim ajo mbi të gjitha do t’i luftojë partitë ‘nacionaliste’ shqiptare, kryesisht Lëvizjen Besa. Edhe atë sa me kandidatët e saj, po aq edhe me të infiltruari e saj në radhët e opozitës shqiptare, persona që flejnë në shtretërit e partive shqiptare, por shohin ëndrrat e LSDM’së.

Sidoqoftë duhet ritheksuar se LSDM’ja u bë edhe parti ‘shqiptare’ ngaqë partive që mëtonin ta përfaqësojnë këtë etnitet u shndërruan vetëm në vasalë të sunduesve maqedonas. Duhet thënë shkurt e shqip: shikuar nga këndëvështrim i LSDM’së, ajo me të drejtë betejën e saj parazgjedhore e ka drejtuar kundër Lëvizjes Besa, e jo kundër BDI’së, sepse e kaluara e drejtuesve të BDI – së e bënë këtë parti të përdorshme dhe aleate të mirë të sunduesve maqedonas. Dhe është pikërisht ajo e kaluar që i solli shqiptarët deri në atë pikë që të mos gënjehen me kërkesa etnike të cilat nuk iu japin as ujë e as bukë, si dhe mos ta kenë të rëndësishëm demokratizimin e shoqërisë së tyre, por vetëm ‘kanalizimin’ që ua bën LSDM’ja./Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme