Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, i ka demantuar pretendimet se ai është kundër transformimit të FSK-së.
Demolli, për Koha.net, i ka quajtur të pandershme dhe të pavërteta interpretimet se përmes një letre dërguar presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit lidhur me qëndrimet e SHBA-së për transformimin e FSK-së, ai ka dalë kundër transformimit të FSK-së.
Sipas ministrit të FSK-së, këto janë përpjekje të ulëta që me tituj portalesh të krijohet opinioni i rrejshëm rreth kësaj çështje.
“Transformimi i FSK-së është prioriteti kryesor i imi në këtë mandat. Me këtë synim, në koordinim me kryeministrin dhe Qeverinë, Ministria e FSK-së i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe sot FSK është e gatshme në të gjitha aspektet për transformim, për marrjen e kompetencave të plota ushtarake si dhe për të kryer të gjitha funksionet në fushën e sigurisë së Republikës së Kosovës. Andaj, sot ekzistojnë të gjitha përgatitjet për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese, apo edhe përmes ndryshim-plotësimit të Ligjit për FSK-në”, ka thenë Demolli.
Ndërkaq, ai thotë se përpjekjet e ulëta që me tituj portalesh të krijohet opinioni i rrejshëm se ministri i FSK-së është kundër transformimit, janë krejtësisht të pavërteta, të pabaza dhe të pandershme.
“Transformimi i FSK-së nuk është proces që na ndan por na bashkon fuqishëm. Përkrahja e partnerëve strategjikë dhe qëndrimet e tyre në këtë proces janë po ashtu kruciale”, ka thënë Demolli.