Dënime shumëvjeçare për puçistët në Mal të Zi

Gjykata e Lartë në Podgoricë i dënoi 14 vetë për përpjekje për terrorizëm dhe për krijimin e një organizate kriminale në tetor të vitit 2016, me synim rrëzimin e dhunshëm të Qeverisë malazeze dhe parandalimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Të dënuarit përfshijnë dy udhëheqës të partisë opozitare malazeze Fronti Demokratik, një shtetas tjetër malazez, nëntë shtetas të Serbisë dhe dy oficerë të dyshuar të inteligjencës ushtarake ruse.

Shtetasit rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, u dënuan me 15 vjet burgim, repsektivisht 12, raporton REL.

Udhëheqësit e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, u dënuan me nga pesë vjet.

Nga nëntë shtetasit e Serbisë, të dënuar për përpjekjen për puç, dënimi më i rëndë u shpall kundër Branisllav Dikiqit, ish-gjeneral i policisë serbe, i cili u dënua me tetë vjet në burg.

Predrag Bogiqeviq dhe Nemanja Ristiq, të dy anëtarë të grupeve ultranacionaliste serbe, u dënuan me nga shtatë vjet.

Branka Miliq, e cila u arratis në Ambasadën e Serbisë në Podgoricë në fund të vitit 2018, mori një dënim trevjeçar; Dragan Maksi u dënua me 21 muaj, Srbolub Gjorgjeviq u dënua me 18 muaj dhe Kristina Hristiq u dënua me kusht.

Katër nga të dënuarit u gjykuan në mungesë, përfshirë dy shtetasit rusë.

Gjykata e Lartë e Malit të Zi konstatoi se grupi ka bërë komplot për të pushtuar Parlamentin e vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviq, dhe për të instaluar një udhëheqësi pro-ruse.

Kryetarja e gjykatës, Suzana Mugosha, tha se të gjithë të pandehurit kishin detyra që synonin rrëzimin me forcë të Qeverisë malazeze dhe shpalljen e Frontit Demokratik fitues të zgjedhjeve, me qëllim pengimin e Malit të Zi nga anëtarësimi në NATO.

Gjykata konstatoi se Mandiq dhe Knezheviq kishin për detyrë të rekrutonin njerëz dhe të përgatisnin një protestë përpara parlamentit, me qëllim të sulmimit të legjislaturës.

Mugosha po ashtu tha se dëshmitë treguan se Knezheviq ka qenë i ngarkuar edhe me përcjelljen e mesazheve tek anëtarët e një organizate kriminale jashtë vendit.

Kremlini ka mohuar se “mekanizmat shtetërorë rusë” kanë qenë të përfshirë.

Mali i Zi, në qershor të vitit 2017, është bërë vendi i 29-të anëtar i NATO-s, një hap që është kritikuar fuqishëm nga Moska dhe është kundërshtuar nga disa malazezë që mbështesin lidhje më të afërta me Rusinë.

Përpara vendimeve të 9 majit, Fronti Demokratik paralajmëroi se dënimi i liderëve të tij, Mandiq dhe Knezheviq, do të rrezikonte “destabilizimin e pakthyeshëm të Malit të Zi”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme