Denoncimi i Ahmetajt për trafikun e armëve/ Igli Cara: Paratë e shqiptarëve po i vjedhin miqtë e Ramës, SPAK hesht…

Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara u shpreh se Shqipëria, pas 14 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, është përfshirë në një nivel të ri të kriminalitetit, tashmë edhe në trafikun ndërkombëtar të armëve.

Duke iu referuar përgjimeve të bëra publike nga Ahmetaj, Cara akuzoi qeverinë se paratë e shqiptarëve po përdoren në skema pa transparencë dhe pa garë, ndërsa lidhjet e përmendura në përgjime e kanë kthyer çështjen në një problem me përmasa ndërkombëtare.

Deputeti demokrat kritikoi edhe heshtjen e qeverisë dhe të SPAK-ut, duke theksuar se kanë kaluar rreth 36 orë nga publikimi i përgjimeve dhe nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar.

Cara tha se Edi Rama ka kapur të gjitha pushtetet dhe se tashmë qeverisja është kthyer në një strukturë që funksionon në interes të një grupi të ngushtë.

Ai akuzoi qeverinë për transferimin e fondeve publike përmes kompanive shtetërore dhe private, ndërsa deklaroi se mungesa e transparencës dhe abuzimi me paratë publike po dëmtojnë pensionet, shëndetësinë, infrastrukturën dhe ekonominë.

Cara tha se shqiptarët po përballen me një shtet që po degradon dhe kjo po nxit veçanërisht të rinjtë të largohen nga vendi.

Pjesë nga intervista:

Kemi arritur në një pikë të asaj dite që tanimë pas 14 viteve të qeverisjes së Ramës, përveç elementëve të caktuar kombëtarë të krimit, tani e kemi ndërkombëtarizuar. Tanimë e kemi edhe me Ukrainën, kemi edhe shtetas përfaqësues të Izraelit dhe me radhë. Tanimë Shqipërinë e kemi ngritur akoma më lart, për sa i përket trafikimit të armëve. Pra, jemi përmendur për shumë gjëra, por tanimë e kemi ngritur stekën, e kemi në nivel qeveritar. Tanimë jemi bërë fiks shteti i Ronit dhe për më tepër, duhet thënë që kur sheh aty se si paratë e shqiptarëve i vendos Roni, se si do të kalojnë, mënyra fenomenale ishin disa shprehje. Për shembull kur tha: “Dëgjo”, tha, “që mos të dukemi”, tha, “keq”, tha, “ta bëjmë”, tha, “një kompani amerikane”. Nuk e di a e keni dëgjuar. “I rregullojmë këto letrat”. Sidomos në Shqipëri kemi parë çudira dhe çudirat vazhdojnë. Dhe unë kam përshtypjen që do të dëgjojmë akoma më tepër në muajt në vazhdim. Pra, ky është bërë një vend i cili më vonë unë jam i sigurt që do të shkruhen libra dhe do të bëhen dhe filma. Kudo në botë askush nuk e imagjinonte kurrë. As unë në 2013-ën kur kaluam në opozitë dhe erdhi Rama në pushtet, pavarësisht se e mendonim situatën të keqe, por kurrë nuk do ta mendonim situatën të degraduar në këtë farë feje.

Kemi tani një shtet i cili paratë e shqiptarëve i merr dhe në mënyra të ndryshme, është gjetur një mënyrë që paratë e shqiptarëve Rama t’i ndajë me miqtë e tij kudo në botë dhe aq më tepër me trafikantë. Mos harrojmë që ne jemi një vend anëtar i NATO-s, dhe një vend anëtar i NATO-s të merret me trafik armësh dhe të marrë para shqiptarësh dhe t’i kalojë në kanale të fshehta pikërisht tek miqtë e Ramës, kjo është e papranueshme.

Dhe aq më tepër janë para të cilat janë shumë, janë miliona e miliona euro, të cilat as nuk tenderohen, as nuk ka garë, as transparencë, as llogaridhënie. Fare fare, sikur të ishin lekët e Ramës, t’i marrë nga kaseta e tij personale dhe t’ia japë kujtdo. Pra kjo është Shqipëria sot. Dhe në këtë rast dua t’ju falënderoj juve si televizion për të gjitha, pse jo, një falënderim, pavarësisht se dikush do të thotë si po e falënderon, pra edhe për zotin Ahmetaj e kam, sepse me thënë të drejtën, pavarësisht se i pamë gjërat ndryshe, kemi pasur debate, mbaj mend edhe nëpër komisione kemi debatuar ashpër me të, por ama një shërbim këtij vendi ia ka bërë me këto fakte, me këto përgjime. Tanimë nuk kemi më çfarë flasim, kjo është e vërteta. Tani, dhe më e dhimbshmja është që kanë kaluar kaq orë. Kanë kaluar rreth 36 orë afërsisht.

Nuk kemi asnjë reagim, as nga qeveria Rama, zero. Nuk kemi asnjë reagim as nga SPAK-u. Dhe tani, për t’u kthyer pak në retrospektivë, meqë jeni media, ju kujtohet që në vitin 2014, në qoftë se e mbani mend mirë, ka pasur një rast të tillë në televizionin Klan. Dhe menjëherë sapo një gazetar aty, më kujtohet Hoxha në qoftë se e mbaj mend mirë, nxori një foto dhe nxori një fakt, u rrethua Klani, erdhi prokuroria, mori provat dhe vazhdoi hetimin. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me një televizion që hapur është pro Ramës, kur u tha një fakt për sa i përket lobimeve të Partisë Demokratike dhe menjëherë u shkuan dhe u morën provat për të vërtetuar dhe u hap procedim penal kryesisht. Nuk e di a ju kujtohen të dyja rastet.

Çuditërisht për një rast të tillë, me audio-përgjime, me fakte kaq të dukshme, SPAK-u nuk lëviz fare. Sikur s’ka ndodhur asgjë. Dhe po të shohësh, përveç jush dhe disa mediave të tjera që dhe ato i falënderoj, 70-80% e mediave as e kalojnë, e thonë si një lajm të rëndomtë. Ku ky është kulmi, sepse kjo tregon të vërtetën se çfarë po ndodh me këtë vend. Dhe kjo nuk është më Parti Socialiste, tani nuk kemi më Parti Socialiste, e kemi thënë me kohë. Tani kemi një bandë në qeverisje, se duhet hequr termi Parti Socialiste, nuk ka Parti Socialiste. Kemi një bandë e cila kryesohet nga kryetari i saj që është Edi Rama.

Dhe kjo është e vërteta dhe për këtë shqiptarët duhet të reagojnë. Tani, në këtë moment, të gjithë njerëzit… Tani Rama përveç asaj që e kemi diskutuar nga studioja juaj, Rama kontrollon çdo pushtet, kjo është e padiskutueshme, sepse e dimë që ka qeverinë, e dimë që ka parlamentin, drejtësinë një pjesë të mirë të saj e ka, nuk po them 100% por një pjesë të mirë të saj e ka, e ka pushtetin lokal sepse dhe lejet e ndërtimit, çdo gjë i jep vetë, pra është dhe kryebashkiak. E ka dhe bandat shqiptare, po tani po merr dhe rolin e kryetarit të bandave të trafikut ndërkombëtar. Pra jemi akoma një hap më lart.

Dhe është i gjithë ky modeli, dhe çfarë bëjnë? Kanë filluar, krijojnë kompani shtetërore, ku paratë fillimisht kalojnë te kompanitë shtetërore, pastaj bëhet një kontratë, ku 80% ja kalon aksionet një kompanie fantazmë e cila nuk hulumton asnjë qindarkë, pra punon me paratë e shqiptarëve dhe pastaj hapen dhe disa filiale të tjera apo disa kompani të tjera të cilat përsëri marrin para shqiptare. Hemorragji pafund financiare nga buxheti i shtetit dhe pastaj është normale që ne nuk kemi para as për të rritur pensionet, nuk kemi para për të pasur spitale më të mira, rrugët ju e dini mirë në ç’gjendje janë, kuptohet që prodhimi ka rënë në pikiatë, nuk kemi më as prodhim bujqësor, dhe kjo është Shqipëria sot. Një Shqipëri e cila po shkon keq e më keq dhe shqiptarët duan të ikin nga ky vend një orë e më parë. Dhe sondazhet janë dëshpëruese, ku një pjesë e mirë e të rinjve duan të ikin dhe mos kthehen më.

The post Denoncimi i Ahmetajt për trafikun e armëve/ Igli Cara: Paratë e shqiptarëve po i vjedhin miqtë e Ramës, SPAK hesht… appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme