Deponia ilegale në Likovë prej vitesh helmon banorët e kësaj zone

Gazetare: Evi Shkopi

Deponitë ilegale në vend po trashëgohen nga një kryetar komunë në tjetrin dhe askush nuk po ndërmerr asnjë hap për pastrimin e tyre dhe gjetjen e një zgjidhje të përhershme. Shpresa është tek ndërtimi i deponive rajonale, për ndërtimin e të cilave nevojiten edhe shume vite.

“Kjo rrugë e cila shpie për në fshatin Nigushtak, kalon përmes natyrës, megjithatë nuk mund ta shijosh natyrën për arsye se ndodhet një deponi, pra në territorin e Komunës së Likovës, e cila me vite është duke helmuar banorët e fshatrave përreth. Vazhdimisht këto mbeturina digjen dhe siç mund ta shihni sipërfaqja e cila mbulohet nga mbeturinat, nga viti në vit vetëm sa shtohet gjithnjë e më shumë”, raporton Evi Shkopi- gazetare.

Edhe pse në fshat presim që mushkëritë të mbushen me ajër të pastër, vetëm pak minuta pasi qëndruam aty filluam të ndjenim në ndezje në kraharor. Me këtë ndjenjë zgjohen e jetojnë çdo ditë banorët e fshatit Orlancë që ndodhet shumë pranë deponisë në fjalë, të cilët ndër vite kanë shprehur shqetësimin e tyre për dëmet shëndetësorë që po ju shkakton kjo deponi.

Një vit më parë kur vizituam këtë fshat për të njëjtin problem, banorët ankoheshin se nuk guxojnë të hapin dritaret për të ajrosur shtëpinë, sepse në vend të ajrit të pastër, shtëpia mbushet erën mbytëse që vjen nga djegia e mbeturinave. Shumë prej tyre që nga fëmijët e deri tek më të moshuarit kanë probleme shëndetësore.

Lidhur me këtë çështje dërguam disa pyetje deri tek kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, mirëpo deri në këtë edicion nuk morëm përgjigje për asnjërën prej tyre.

Pyetje drejtuar Komunës së Likovës
“Çfarë planifikoni të bëni për zgjidhjen e këtij problemi?
A dalin në terren inspektorët komunal për të kryer inspektime në atë zonë?
Nëse po, sa sanksione janë shqiptuar deri tani?
A keni ndonjë plan për një zgjidhje afatgjatë të këtij problemi?”

Një vit më parë nga kjo komunë na thanë se deponitë ilegale kanë kaluar nën kompetencat e pushtetit qendror dhe se presin t’i informojnë prej atje se kur mund të nisin me dislokimin e mbeturinave në një deponi rajonale, të cilat ende nuk janë ndërtuar. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme