George Michael ishte një legjendë. Edhe pse gjatë dhjetë viteve të fundit në medie më shumë e kemi parë për shkak të problemeve shëndetësore dhe problemeve me drogën, ai ishte dhe mbetet një ikonë e muzikës. Siç ndodh edhe me shumë këngëtarë të tjerë karriera e të cilëve ka zgjatur me dekada, edhe Michael kishte madhështinë e tij, transmeton “Zeri”.
Hitet e tij që nga fillimi i viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, për asnjë çast nuk e kanë humbur madhështinë dhe popullaritetin edhe sot e kësaj dite. Pra, legjendat mbesin legjenda dhe padyshim se Michael është në këtë grup. Por edhe Michael sikurse edhe shumica, ka pasur momente të vështira në jetë të cilat padyshim se kanë lënë gjurmë tek ai.
Michael një kohë të gjatë ka vuajtur nga depresioni, pasi në një periudhë prej tri vjetëve, ai ka humbur dashnorin e tij Anselm Felepp dhe nënën, Lesley Angold. Felepp ka vdekur nga komplikimet që lidheshin me AIDS-in. “Kam luftuar me depresion të rëndë pas vdekjes së nënës. Të humbësh nënën dhe dashnorin brenda tri viteve, është e vështirë”, kishte deklaruar ai. Qysh nga mosha e adoleshencës, Michael kishte probleme me prirjet e tij seksuale. Edhe pse miqve u kishte thënë se është biseksual, një kohë të gjatë e ka gënjyer vetveten dhe është shtirur se mund të ketë lidhje edhe me femra, ndërsa pas shpërbërjes së grupit të tij “Wham!”, e kishte kuptuar se është homoseksual. Dhe në vitin 1998 ai ishte arrestuar për sjellje të pahijshme, pasi një polic në rroba civile e kishte joshur në një WC publike dhe e kishte arrestuar. Ishte detyruar ta pranonte se është homoseksual. Dhe pastaj gjatë intervistës me Piers Morgan, e kishte pranuar se ka ndërruar më shumë se 500 partnerë seksualë.
Në tetor të vitit 2006, ai ishte arrestuar për posedim droge, ndërsa dy vjet më vonë ishte arrestuar prapë, pasi ishte droguar rëndë, kishte shkaktuar aksident trafiku. Në vitin 2010, derisa po kthehej nga “Gay Pride”, ishte arrestuar pasi me veturë ishte përplasur në vitrinën e një dyqani. Dhe gjashtë vjetët e fundit, ai ka luftuar me problemet e shumta shëndetësore, si pasojë e depresionit, drogës dhe orientimit seksual./Zeri/.