Deputetët e VV’së brenda dy ditëve realizojnë dy sulme ndaj mediave

Dy ditë më parë, ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti shtroi një sërë akuzash ndaj dy biznesmenëve Blerim dhe Shkëlqim Devolli, për siç tha ai kapje të institucioneve të shtetit dhe krijim të monopolit në shumë fusha.

E ndër të tjera, në fjalimin e mbajtur në Kuvendin e Kosovës, Kurti akuzoi Devollët se e kanë nën kontroll edhe televizionin Klan Kosova.

“Thuhet se edhe televizioni Klan Kosova është i tyre”, ka thënë deputeti i VV-së, teksa ka vazhduar më tej në sulme ndaj televizionit. Kurti e quajti Klan Kosovën “fabrikë virtuale televizive për amortizimin e pakënaqësisë së qytetarëve”.
“Nga Devolli Commerce gjatë okupimit te Devolli Company e sot te Devolli Group, prodhimi që bëjnë është bërë i parëndësishëm krahasuar me dallaveret që bëjnë. ‘Serbia deformon tregun’, ‘Mielli i bukës kontrabandohet si miell biskotash’, ‘Mashtrimi me tarifat doganore’ janë tituj të zakonshëm kur mediet shkruajnë për Devollët. Natyrisht jo edhe në televionin e tyre Klan, i cili dikur ishte fabrikë reale prodhuese e amorizatorëve për automjetet kurse tash pas privatizimit është fabrikë virtuele televizive për amortizimin e pakënaqësisë së qytetarëve”, deklaroi Kurti.

E dy ditë më vonë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fisnik Ismaili sulmoi një medie tjetër të Kosovës. Përmes një reagimi në profilin e tij të rrjetit social Facebook, Ismaili bëri thirrje për “raportimin” e mediumit online Gazeta Express në këtë rrjet social.

Ai u kërkoi ndjekësve të tij në Facebook që të sabotojnë mediumin “Gazeta Express”, për siç ka thënë ai, lajme të rreme e shpifje.

“Hajde e ekspozojmë Express-in se qysh i manipulon lexuesit, por staffin i ka qaq debilla, as nuk dijnë me e mshefë. Hajde krejt, po e nisim një lëvizje: me e raportue faqen e Gazetës Express, në mënyrë masive, për shpifje e lajme të rreme”, ka shkruar Ismaili.

Edhe më parë, zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje kanë sulmuar verbalisht mediumet kosovare, raporton Insajderi.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, drejtori Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës Hysen Durmishi ka premtuar se Vetëvendosje do t’i ngreh zhag mediat kur ta marrë pushtetin.

Anëtari i VV-së, Durmishi kishte thënë se medieve do t’i vijë fundi bashkë me pushtetin.

“Ju media të pushtetit a po mendoni ndonjëherë që i vie fundi edhe këtij pushteti kriminal. I vie fundi edhe këtij pushteti të Klanit Pronto. Do të ju vie fundi edhe juve bashk me ta. Mos mendoni se harrojmë. Më e pakta që duhet ta mendoni është që zvarrë do të nxjerrim e do të ju dërgojmë në burg o kriminel. Mos na lëndoni më shumë o të pështirë. Nuk ju falim kurr kriminel!” kishte shkruar Durmishi.

E në muajin janar të këtij viti, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e kishte akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për linçimin e drejtuesve të medieve.

Përmes një reagimi, AGK pati deklaruar se “e kundërshton fushatën linçuese të subjektit politik Vetëvendosje ndaj drejtorit të transmetuesit publik, Mentor Shala dhe kryeredaktorit Ridvan Berisha”.

AGK pati thënë se “kjo sjellje më së paku i ka hije një subjekti politik që mëton të promovojë Lirinë e Shprehjes dhe Mediave në Kosovë”. /Insajderi.com