Kuvendi i Kosovës ka miratuar Programin Kombëtar 2017-2021 për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, në seancën ku fillimisht votimi i këtij dokumenti u sabotua.
Pasi herën e parë nuk morri votat e mjaftueshme, kryesuesi i seancës Xhavit Haliti e riktheu atë për herë të dytë në votim, kur në sallë u bënë më shumë se 61 deputetë të pozitës, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ata që duan të sabotojnë le të vazhdojnë, kur t’u mbushet mendja votoni. Por programi do të zbatohet”, ka thënë Haliti në votimin e parë, ku morën pjesë vetëm 55 deputetë. Ai e quajti sinjal jo të mirë mosmiratimin e këtij programi, vetëm dy ditë para mbajtjes së takimit të tretë të komisionit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Pas votimit të dytë, pro këtij programi votuan 64 deputetë.
Teksa ka arsyetuar programin, ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se i njëjti është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet zbatuese dhe përmban masat afatshkurtra njëvjeçare dhe afatmesme pesëvjeçare dhe që kanë për qëllim përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga MSA-ja. Përveç reformave kyç politike dhe ekonomike që kërkon MSA-ja, sipas ministres, Programi parasheh masa konkrete në kuadër të 33 kapitujve të “acquis” (tërësia e ligjeve v.j.) të BE-së..