Për një votë nuk kaloi amendamenti që do ta obligonte qeverinë e Kosovës të paguajë asistentët ose mësuesit plotësues për fëmijët me nevoja të veçanta nëpër shkollat publike.
Në seancën parlamentare të së premtes, 42 deputetë votuan kundër, ndërsa 41 të tjerë pro këtij amendamenti të iniciuar nga deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, raporton KTV.
Nagavci thotë se kjo gjendje është shqetësuese dhe mospagesa e këtyre asistentëve nga shteti nënkupton që fëmijët me nevoja të veçanta po anashkalohen nga shoqëria.
Ky vendim i Kuvendit i ka lënë pa shpresë prindërit e 6 mijë e 195 fëmijëve të regjistruar në arsimin gjithëpërfshirës.
Sikurse deri tash, edhe më tutje do të duhet të paguajnë asistentët për fëmijët e tyre që për shumëkënd është e papërballueshme.
Në kategorinë e fëmijëve me nevoja të veçanta, hyjnë edhe fëmijët me zhvillim të vonshëm e të cilët shpeshherë janë vështirë më të menaxhueshëm për mësimdhënësit.
KTV-ja ka identifikuar të paktën dy raste kur prindërit janë ankuar se fëmijët e tyre janë sulmuar nga fëmijë me zhvillim të vonuar apo edhe e kundërta kur fëmijët me zhvillim të vonuar ngacmohen nga të tjerët.
Por asnjëra palë nuk ka dashur të deklarohet, shkaku i ndjeshmërisë së këtyre problemeve.
Rrëzimi i këtij amendamenti hodhi poshtë edhe premtimin i ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, i cili u zotua të punojë më shumë për këta nxënës.
Prindër të shumtë janë ankuar nëpër komunat ku jetojnë, por zyrtarët komunalë fajin e kanë hedhur te Ministria e Arsimit.
Ministria e Arsimit nuk e pranoi këtë përgjegjësi dhe kështu siç ndodh shpesh, faji mbetet i askujt.
Fjolla Rraci është asistente e angazhuar nga dy familje e cila u ndihmon fëmijëve të tyre me nevoja të veçanta. Ajo thotë se ndihet keq kur prindërit e paguajnë nga xhepi i tyre derisa ka kontratë të rregullt pune me institucionet shtetërore.
Ajo kujton se për personat me nevoja të veçanta u fol shumë gjatë fushatave zgjedhore, fjalë këto që u harruan shpejt.
Po të miratohej ky amendament kërkohej prej qeverisë që të ndante 739 mijë e 200 euro për gjithsejtë 150 punëtorë të tillë.
Nga kjo shifër, 100 psikologë-pedagogë mund të paguheshin me pagën bruto 426 euro, e që shuma vjetore e përgjithshme është 511 mijë e 200 euro. Në kuadër të saj do të mund të angazhoheshin edhe 50 asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta me pagën bruto 380 euro, e që shuma vjetore e përgjithshme është 228 mijë euro.