Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, në një intervistë në emisionin “Përballje” të premten, ka folur për raportet e tensionuara mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.
“Unë mendoj se jemi në rrugëtimin tonë natyral për të qëndruar si një komb. Kjo rrugë e jona duhet me zgjuarsi të kombinohet me interesat ndërkombëtare gjeopolitike. Këtu duhet të jemi pak të shkathët. Është çështje kohe. Shpresoj të shpëtojmë edhe ne në Shqipëri nga Rama se na gjeti belaja e belaja jonë ju ka ardhë dhe po ju ha edhe juve atje. Na ka ikur një njeri nga cirku na çmendi ne, po ju çmend juve dhe po e çmend edhe botën”, është shprehur Alizoti.
Duke komentuar veprimet e fundit të Ramës në raport me zhvillimet në Kosovë, ai ka thënë se kryeministri shqiptar po sillet si suedez.
“Rama po sillet si suedez e jo si shqiptar. Edhe sikur Kurti të jetë gabim në hapat që ndërmerr, Rama duhet t’i mbulojë me gjithë administratën që ka, me gjithë shtetin që ka duhet të ia mbulojë gropat dhe gafat Kurtit”, është shprehur deputeti i PD-së.
Alizoti tutje ka thënë se shqiptarët në Kosovë duhet të jenë të unifikuar me qëndrime dhe se nuk duhet të përdorin politikën e jashtme për konsum ditor të brendshëm. Sipas tij, kjo po ndodh në Kosovë, por edhe në Shqipëri.
“Në përkufizimin e politikës së jashtme quhet një kapital kombëtar. Kështu e quajnë amerikanët e gjermanët. Nëse për vendet e mëdha ka kosto, për shqiptarët është ekzistenciale. Shqiptarët ekzistojnë përmes gjeopolitikës e jo nëpërmjet luftës së tyre. Por, në diplomaci ka një rregull – gjithmonë lihet një derë hapur. Mua më pëlqen qëndrimi i Kurtit, por duhet të ketë dy hapa para e ndonjëherë edhe një hap mbrapa, për t’u kuptuar interesat politike”.
Sipas tij, Evropa po e përkëdhelë Serbinë në kurrizin e Kosovës, për ta shkëputur atë nga Rusia, “por kjo nuk do të ndodh”.