Deputetja dhe nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka thënë se brenda kësaj partie kanë mundësi për dialog dhe rrugëdalje pa kushtëzime, edhe pse kontributi i gjithsecilit nuk është i njejtë.
Ajo shkruan se po t’i thërrasin arsyes të gjithë në VV, e kaluara e përbashkët shumëvjeçare mund të jetë pikënisja e një vazhdimësie dhe se zgjidhje ka vetëm vetëm nëse ulen për të diskutuar ballë për ballë.
Tutje Kollçaku fton të gjithë njerëzit e kësaj partie që të ulen dhe ta tejkalojnë këtë sfidë, duke aluduar në zhvillimet e fundit që ndodhën brenda Vetëvendosjes.
Ja shkrimi i plotë i saj në Facebook
Derisa jemi të gjithë në Lëvizje VETËVENDOSJE! ka mundësi për dialog, për kritikë dhe vetëkritikë, për rrugëdalje pa kushtëzime, me vullnet dhe njohje të kontributit të secilit nga ne. Pa dyshim se kontributi nuk është i njëjtë, sepse disa aty i kanë shkrirë vite të tëra plotë sakrifica. Kjo duhet vlerësuar.
Unë nuk besoj në teori konspirative, prandaj jam e bindur se po t’i thërrasim arsyes, e kaluara e përbashkët shumëvjeçare mund të jetë pikënisja e një vazhdimësie ku ndihemi mirë por pikësëpari për të mirën e përgjithëshme.
Unë i ruaj shumë të freskëta imazhet e fushatës nacionale dhe asaj lokale. Ato imazhe më bëjnë të besoj se zgjidhje ka nëse ulemi ballë për ballë. Duke u shikuar në sy, më mirë do të kuptojmë problemet dhe mundësitë për zgjidhjen e tyre. Unë e kam përkrahur kandidaturën e Albin Kurtit, sepse mendoj se e meriton,dhe kjo kandidaturë është po aq legjitime sa do të ishte po aq legjitime edhe ndonjë kandidaturë tjetër.
Mirëpo fakti që unë e mbështes Albinin, nuk më pengon ta vlerësoj kontributin e të gjithë aktivistëve të tjerë që brenda natës nuk mund t’i konsideroj si ” armiq”. Jo, sepse i kam gjetur aty dhe kam pa çfarë kanë bërë me vite për Lēvizjen.
I ftoj, jo vetëm nga pozita ime si Nënkryetare e Lëvizjes VETËVENDOSJE! , por shumë më tepër si bashkëaktiviste që të ulemi dhe ta tejkalojmë këtë sfidë.