Derdhet kupa që mbushi arroganca e Ramës

Artur Zheji

Shqiptarët i dhanë besim dhe pushtet, ndoshta si askujt tjetri në këtë vend, ku pasioni për eksperimentet njerëzore nuk njeh kufinj.
E bënë, ministër, e bënë 3 herë kryetar bashkie të kryeqytetit dhe 2 herë kryeministër. E bënë të pasur dhe të famshëm. E veshën dhe e ushqyen më së miri këtë kryeministër, e vunë si pasha në krye të vendit, e përkëdhelën me vota dhe dhurata të paçmuara.

Por ndërkohë, me vesin e keq të këtij populli, që prodhon diktatorë dhe diktatorucë, dhelat dhe përkëdhelat e shumta, e bënë kryeministrin të besonte gabimisht se ishte i pakundërshtueshëm, apo se mund t’i blinte të gjitha mendjet dhe gojët e lira në këtë vend mjeran.
Dhe ja arriti pothuaj, por ndërkohë është shkëputur krejtësisht nga realiteti që e rrethon, nga realiteti i popullit të vet, që e parazgjodhi ndaj shumë të tjerëve dhe më shumë se këdo tjetër.
Dhe kryeministri, pronar i plotë i krejt Tepsisë së pushtetit, vuri në tepsi, si të ishte një dash i pjekur në hell, krejt Shqipërinë.
Pastaj morri një hanxhar dhe çdo ditë të shtune, në gostinë e ngrënies së Dashit të pjekur – Shqipëri, priste ndonjë llokëm dhe ua hidhte si dikur mongolët e Çengçiz Hanit, në prehër pashallarëve më të vegjël, të shpurës së tij grabitqare. Ata që veshin stinë pas stine, herë çallma blu dhe herë çallma rozë, gjithmonë të uritur për llokmën e dhjamur të dashit, me të cilën skanë të ngopur.

Ja pra që gabuan këta derdimenë shqiptarë, që ja dhanë të gjithë Tepsinë, një individi të vetëm, qoftë ky më i gjati i politikanëve, apo qoftë ky batutaxhiu më i suksesshëm i Kuvendit të Shqipërisë, ku koha ka treguar, që ka mbledhur më së shumti batakçinj me vulë.
Mirëpo te “koqet” e Dashit-Shqipëri, ngatërrohet gjithmonë loja.
Ato të shkreta dhe të uruara hallate, dhembin.
10 apo 22 euro për të shkuar në Kosovë, për pak tregëti apo për pak çmallje me fisin, për të nisur pak kanabis drejt Beogradit, për punë të pastërta apo të papastërta, dhembin, sepse kjo është rruga e turizmit kombëtar që sjell dhjetëra e mijëra shqiptarë të Kosovës, çdo fundjavë në Shqipëri.
Më ç’rast qarkullon paraja, ushqehen bizneset e vogla të shërbimeve, punojnë qebabtoret e byrektoret, punojnë hotelet, restorantet apo hanet shqiptare, dhe mbyllet financiarisht muaji i varfër i të varfërve qëu gënjen mendja se bëjnë biznes. Por që të paktën kësisoj mbahen në këmbë.
Por pronari i Tepsisë të të gjitha pushteteve, i ka harruar qebabtoret, picat apo byrektoret apo birraritë e shumicës, që dikur, kur jetonte në Paris si i varfër, i frekuentonte përditshmërisht, si të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak, në kohërat e para të ngushticës.
Si shekuj më parë Maria Antuaneta, që nuk e kuptonte se përse populli i Francës bëri revolucion për Bukë, kur në Pallatet e Versajës, shërbeheshin fazanë, peshq të rrallë dhe buka ishte hequr nga menyja mbretërore, edhe kryeministri i gjatë dhe përherë e më dritëshkurtër, ai, nuk e kupton dot sot, se 10 apo 22 euro janë shumë para, për t’u dhuruar në një sportel rruge, për ata që kanë pak para.
Udhëtimet me fluturime çarter, shefat personalë që gatuajnë për të, rrobaqepsit e famshëm milanezë që qepin kostumet e tija, arkitetktët e mëdhenj që i projektojnë shtëpitë, me 10 euro pijnë vetëm një gotë ujë me gaz dhe me 20 euro paguajnë kafenë…

Nuk do të doja që ti shikoja kukësianët me leva në duar dhe as zjarret që më kujtojnë 21 Janarin.
Talenti ynë për të prishur e shkatërruar në një kohë të shkurtër, është i mahnitshëm.
Por me sa duket me pronarin arrogant të Tepsisë-Shqipëri, nuk ka rrugë tjetër për t’i hequr nga duart hanxharin që ndan llokmat fitimprurëse të Dashit-Pasuri Kombëtare, këtij anadollaku ortodoks-katolik dhe frankofon, përveçse me një “kryengritje” kukësiane.
Si dhe u dërmua edhe ngrehina presidenciale e Berishës së parë, nga kryengritja vlonjate në vitin ‘97.
Dhe kështu, derdhet në Kukës kupa që mbushi arroganca e Ramës, në të gjithë Shqipërinë.
Do të doja të ndodhte në Tiranë. Do të doja të ishin studentët në ballë, por Tirana është shumë e përzier dhe është padyshim, përveçse Kryeqyteti i shumicës së shqiptarëve, edhe kryeqyteti i maskarenjve më të pasur të Shqipërisë, kryeqyteti i pordhës dhe i shpërdorimeve.
Prandaj dhe shpërthen sot në Kukës apo dje në Vlorë.