Prokuroria e Përgjithshme e Ekuadorit prezantoi sot, e shtunë, 23 nëntor 2024, argumentin fillestar në seancën gjyqësore për krim të organizuar ndaj 15 të pandehurve, pjesëtarë të një grupi kriminal shqiptar.
Sipas mediave vendase, ky grup ka dërguar sasi të mëdha droge nga Porti Detar i Guayaquiit në Evropë, duke përdorur modalitetin e “grepave të verbër”, i cili konsiston në fshehjen e kokainës në kontejnerë mallrash të eksportueshme në terminalet portuale.
Seanca zhvillohet në Kompleksin Gjyqësor Verior të Kuitos dhe përfaqëson fazën përfundimtare të çështjes Pampa.
Hetimi filloi me operacione të njëkohshme në shkurt 2024, në të cilat u arrestuan 30 të dyshuar dhe u sekuestruan rreth 2 milionë dollarë e 450 mijë euro para cash.
Prokuroria siguron se dëshmitë, dokumentacioni dhe ekspertiza do të tregojnë funksionimin e kësaj strukture kriminale.
Mes të akuzuarve janë persona fizikë dhe juridikë (tetë kompani), që dyshohet se drejtohen nga shqiptari Dritan Gjika dhe argjentinasi Mario Sanchez Rinaldi.
Sipas Prokurorisë, rrjeti nuk i dedikohej vetëm trafikut të drogës , por përdorte edhe kompanitë eksportuese të bananeve si front për të pastruar pasuritë e përfituara nga këto aktivitete të paligjshme.
Kujtojmë se më më 29 korrik, Alex Quirola, Marco Morocho dhe Jesus R. u dënuan me 36 muaj burg pasi përfituan nga gjykimi i shkurtuar.
Këta të pandehur kanë pranuar pjesëmarrjen e tyre në strukturë, në krimin e organizuar për trafik droge dhe kanë bashkëpunuar me drejtësinë.
Rrjeti kriminal u çmontua në një mega-operacion të kryer në Ekuador dhe Spanjë, shkurtin e kaluar, me mbështetjen e Prokurorisë spanjolle.
Seanca përgatitore për gjykimin për çështjen Pampa, për pastrim parash, filloi më 26 shtator 2024.
Hetimet e prokurorisë:
Gjatë arrestimeve u sekuestruan dokumente kyçe dhe prova teknologjike për hetimin. U përcaktua se grupi kishte bërë të paktën 11 dërgesa droge në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë, duke kamufluar kokainën në kontejnerët e eksportit të frutave tropikale.
Dritan Gjika dhe Sanchez Rinaldi, të caktuar si drejtues të organizatës, do të kishin koordinuar logjistikën dhe dërgesat nga Ekuadori në Evropë, duke përdorur kontakte strategjike në të dy kontinentet.
Prokuroria ka raporte monitorimi, komunikime të koduara nga platforma SKY dhe të dhëna financiare si pjesë e provave që mbështesin akuzën.