Gazetare: Melihate Rustemi
Deri në fund të vitit nuk do të ketë vendim të ri për shportën mesatare të konsumit. Për momentin janë duke u krahasuar të dhënat, ndërsa nëse matjet nuk bëhet deri në fund të vitit, do të ketë një shportë mesatare të konsumit në fillim të vitit të ardhshëm. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Socio-Ekonomik, shporta e konsumit nuk është diskutuar. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi tha nuk ka nevojë për masa sepse sipas tij në tre muajt e fundit ka rritje vetëm për 0,1 për qind. Të hënën do të ketë takim me prodhuesit dhe distributorët.
“Të mos them disa muaj por me siguri para përfundimit të këtij viti do të ketë vendim. Nëse kemi arrijmë që të gjejmë pajtim për të gjitha vërejtjet dhe të dhënat që i marrim nga Enti i Statistikave do të arrijmë t’i përpunojmë në kohë, do të sillet para fundit të vitit, nëse jo mbetet për në fillim të vitit të ardhshëm. Atëherë do të ketë një shportë mesatare të konsumit që do të përllogaritet nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës”, tha Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë dhe Punës.
Lidhja e Sindikatave u shpreh e zhgënjyer pse nuk u hap çështja e pagës minimale. Sipas tyre, Qeveria po tenton t’i bind se me masat që do t’i sjell nuk do të ketë nevojë të rritet paga minimale dhe as pagat tjera.
“Ju garantoj se cdo i punësuar që ka mbetur në shtet, ka mbetur me shpresën për kushte pune dhe pagë më të mirë. E patë se si disa markete sinxhirë kanë lëshuar 50-52 mijë denarë regres vjetor. Kjo le të jetë sinjal pozitiv edhe për të tjerët të cilët duan të mbajnë punëtorët. Me 26 mijë denarë pagë minimale me të cilën nuk mund as një kafe ta pini, mos pritni të keni produktivitet dhe punëtor të motivuar”, theksoi Ivan Peshev nga Lidhja e Sindikatave.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave për muajin qershor, inflacioni është ulur për 0,5 për qind. Nga kontrollet që ka bërë Inspektorati i Tregut për 7 produkte ushqimore është konstatuar rritje te produktet ushqimore për 1,1 për qind dhe te transporti për 1,6 për qind. Nga maji i vitit kaluar deri në maj të këtij viti, çmimet e produkteve hyrëse sipas Durmishit janë rritur për 2,66 për qind, ndërsa çmimet shitëse për 4,5 për qind. Nga kontrollet e bëra është konstatuar se shitësit me pakicë nuk i kanë ulur çmimet pavarësisht se ka pasur ulje të çmimeve nga importi./Alsat.mk.
The post Deri në fund të vitit pa vendim të ri për shportën mesatare të konsumit appeared first on Alsat.



