Dëshmia tronditëse e teknikut të ashensorit ku humbi jetën nëna 30 vjeçare: Ja pse s’e rregullova

Një person i identifikuar si tekniku i ashensorit është shoqëruar dje në Komisariatin nr.4 të Policisë në kryeqytet dhe është marrë në pyetje në lidhje me zjarrin që i mori jetën 30-vjeçares Drilona Duriçi.

Shtetasi në fjalë është marrë në pyetje për mëse dy orë nga hetuesit e Policisë në lidhje me ngjarjen e ndodhur brenda ashensorit të pallatit në zonën e “Qesarakës”, ku humbi jetën nëna e një fëmije 5-vjeçar tri ditë më parë.

Në dëshminë e tij, mësohet se personi i shoqëruar në komisariat, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka thënë se nuk kishte kontratë të shkruar me banorët e godinës në fjalë.

Gjatë dëshmisë në Polici, mësohet se tekniku i ashensorit ka thënë se kishte pasur vetëm një marrëveshje verbale me 3-4 banorë të pallatit, që ishin përfaqësues të kateve, të cilët i jepnin 6 mijë lekë të rinj në muaj.

Pasi ka shpjeguar se kishte më shumë se një vit që mirëmbante pallatin në fjalë, tekniku ka thënë se muajin e fundit nuk ishte paguar nga banorët dhe për këtë arsye nuk ishte marrë me mirëmbajtjen e tij.

Personi i shoqëruar në Polici ka dhënë edhe disa shpjegime në lidhje me mënyrën si funksiononte ashensori, ndërsa më pas është lënë i lirë. Gjatë hetimit, mësohet se tekniku është dërguar te pallati i shoqëruar nga policia dhe është mbajtur aty gjatë ekspertizës së kryer, raporton “Panorama”.

Nga ana tjetër, policia ka marrë në pyetje edhe banorët e pallatit, që kanë shpjeguar se dy javët e fundit ashensori kishte dhënë probleme teknike.

Ata kanë thënë se, me sa kanë kuptuar, ashensori ka pasur probleme me shkodimin e sistemit. Një banor i pallatit tha dje se dy javët e fundit, ashensori ka pasur disa anomali që nuk i kishte shfaqur më parë.

Ai tha se banorët kanë hyrë në apartamente 6-7 vjet më parë dhe kanë marrë në dorëzim godinën nga kompania ndërtuese.

“Dy javë më parë, pati një stakim nga energjia elektrike, sepse kishte luhatje tensioni prej tre-katër javësh dhe shkëputje të energjisë. Dhe kur kishte probleme të tilla, ashensori, siç thoshin ata teknikët, shkodohej, me gjuhën teknike të tyre, sepse nuk merrnim vesh. Për disa orë ashensori dilte jashtë funksionit, stakohej dhe hapej në katin përkatës ku ndodhte stakimi, pra dyert e ashensorit mbeteshin të hapura edhe në këtë rast. Pas këtij problemi që pati rreth dy javë më parë, u vu në punë dhe funksiononte”, pohoi banori i pallatit ku ndodhi ngjarja.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme