Metë Ramaj, kryetar i fshatit Shaptej, ka dëshmuar sot në gjykimin për vrasjen e dy vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në gusht të vitit të kaluar.
Për këtë vrasje akuzohen dy bashkëfshatarë të viktimave, Salih e Durim Lushaj, që mes vete janë babë e bir.
Metë Ramaj u identifikua si dëshmitar i ngjarjes pas shikimit të video-incizimeve të rrugës në afërsi të vendit ku kishte ndodhur incidenti.
Dëshmitari Ramaj para trupit gjykues tha se edhe me familjen Lushaj edhe Ramaj kanë marrëdhënie të mira dhe lidhje familjare.
“Të dy parët i kam vëllazëri”, tha dëshmitari, derisa theksoi se lidhje me të afërt familjare ka me familjen e të dëmtuarve.
Derisa po i parashtroheshin pyetjet nga prokurorja e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj, dëshmitari Metë Ramaj u pyet edhe për problemet që kishin pasur Salih e Dervish Lushaj.
Ai tha se kishte dëgjuar për problemin e tyre pasi tek ai kishte shkuar Dervish Lushaj për të kërkuar mbledhje rreth problemeve që ka me Salih Lushajn.
“Dervishi ka ardhur tri herë te shtëpia ime, edhe më ka kërkuar me bërë mbledhje se është ankuar në Salihun. Edhe i kam thënë Dervish: Jemi vëllazëri i zgjidhni këto probleme vet, a tek e fundit nëse e bën t’i mbledhjen në shtëpinë tënde, unë jam i obliguar me ardh se tani për tani jam kryesues i fshatit”, tha Metë Ramaj.
Ai shtoi se Dervish Lushaj kishte mbajtur një mbledhje për ankesat që kishte pasur ndaj Salih Lushajt, e në atë takim Ramaj tha se ishte prezent, porse ai nuk kishte folur fare.
Më pas prokurorja e pyeti dëshmitarin rreth incidentit ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Rexhep e Burim Ramaj, më 28 gusht 2016.
Ai tha se ato momentet ishte duke shkuar në shtëpi, derisa kishte hasur në vendin ku kishte ndodhur vrasja e dyfishtë.
“Unë kur ka ndodhur ngjarja kam qenë tek kushërini jem, Isuf Ramaj, me pi çaj. Isufi e ka shtëpinë afër vendit ku ka ndodhur ngjarja. Afër shtëpisë se Rexhepit”, tha ai.
Tutje, Metë Ramaj tregoi se gjatë rrugës për në shtëpinë e tij kishte hasur tek momenti kur kishte ardhur Durim Lushaj me revole në dorë.
“Unë kam dalë tek dera me shku në shtëpinë time, kur jam dalë të dera, e kam parë djalin e Salihit (Durimin), e ka pas alltinë në dorë. Edhe unë kam vrapuar edhe i kam thënë: Ma more bacë heke ketë dreq se kjo sjell veç probleme. Edhe tash ky më ka dalë mua përpara me allti. Mua nuk më ka gjuajt, por atë moment ka gjuajtë kah Rexhepi. Edhe kur ka gjuajtë kah Rexhepi, Rexhepi ka ra poshtë. Me sa e di unë Rexhepi ka qenë duke dashtë me hy me nda. Qysh ka gjuajt nuk e di, por e kam pa që u ra Rexhepi”, tregoi dëshmitari për momentin e vrasjes se njërit nga vëllezërit Ramaj.
Metë Ramaj tha se duke menduar se është plagosur Rexhepi, ai kishte vrapuar drejt shtëpisë se tij për ta marrë veturën që ta bartë drejt spitalit.
Derisa po largohej nga vendi i ngjarjes, dëshmitari tregoi edhe kur e kishte parë me armë në dorë edhe të akuzuarin tjetër, Salih Lushajn, në vendin e ngjarjes.
“Salihun e kam parë vetëm vetëtimthi me Burimin t’u kacafytë, anën tjetër kanë qenë, anën e majtë, ngat telave. Armë ka pasur edhe Salihu”, tha Metë Ramaj.
I pyetur nga prokurorja se a kishte pasur ndonjëri nga viktimat ndonjë send në duar, dëshmitari tha se edhe Rexhepi edhe Burmi kanë qenë duarthatë.
Ai shtoi se nuk e kishte parë më askënd duke shtënë, sepse menjëherë ishte nisur për ta marrë veturën në shtëpinë e tij, derisa tha se pak metra pasi ishte nisur kishte dëgjuar edhe të shtëna tjera të armëve.
Pasi tha se ishte kthyer me veturë në vendin e ngjarjes, dëshmitari theksoi se i kishte parë Rexhep e Burim Ramajn të shtrirë në tokë.
Burim Ramajn tha se e kishte dërguar me veturën e tij deri në ambulancën e Deçanit, kurse Rexhepin tha se me veturë e kishte dërguar kushëriri i tij, Ramë Ramaj.
Avokatja e Salih Lushajt disa herë kërkoi nga dëshmitari të përshkruante momentin kur kishte parë Salih Lushajn duke u kacafytur me Burim Ramajn, mirëpo dëshmitari tha se nuk mund ta përshkruaj momentin sepse nuk mund ta përshkruaj kacafytjen e sekondshme.
Avokatja Kelmendi e pyeti dëshmitarin se kënd tjetër e kishte parë në vend të ngjarjes, ndërsa ai tha se kishte vërejtur Gani Ramajn dhe të miturin A.R.
Dëshmitari u ballafaqua edhe me video-incizimet e kamerave të rrugës afër vendit të ngjarjes, kurse në një moment ai identifikoi vetëm përmes të mbathurave derisa po nisej drejt vendit të ngjarjes nga shtëpia e Isuf Ramajt, ku ishte mysafir.
I akuzuari, Salih Lushaj, e pyeti dëshmitarin se a ishte prezent më herët në njërën nga seancat e këtij gjykimi.
Dëshmitari e pranoi se kishte qenë në njërën nga seancat fillestare, ndërsa anëtarët e trupit gjykues e pyetën se a kishte pasur dëshmitar në seancën ku ai kishte qenë pjesë e publikut, dëshmitari tha se jo.
Gjoba e shqiptuar nga trupi gjykues ndaj dëshmitarit
Dëshmitarit Metë Ramaj trupi gjykues i shqiptoi gjobë në shumë prej 300 eurove për shkak se ai nuk tregoi respekt ndaj anëtarëve të trupit gjykues derisa po i parashtrohej pyetje.
“Prej të shtënave që i ke dëgjuar, a të kujtohen ngjyrat e tyre, a kanë qenë ndryshe apo të njëjta?”, e pyeti anëtari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, dëshmitarin.
“Ti a po bon hajgare me mua a? Ku mundesh mi dëgju ngjyrat, unë ekspert nuk jam”, u përgjigj dëshmitari Metë Ramaj.
Përkundër se disa herë iu tërhoq vërejtja të tregojë respekt, trupi gjykues mori aktvendim të shqiptojë gjobë prej 300 eurove.
“Këtë gjobë dëshmitari është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh, nën kërcënimin e shndërrimit me ditë burgu. Lidhur me këtë do të lëshohet aktvendim i veçantë, ku do të përshkruhen edhe arsyet e dënimit”, ishte aktvendimi i marrë nga kryetari i trupit gjykues.
Tërheqja e prokurores nga dëshmia e dëshmitari Ramë Ramaj
Prokurorja Valbona Disha Haxhosaj për shkak se e kishte kuptuar nga anëtarët e familjes Ramaj se dëshmitari Ramë Ramaj kishte qenë disa herë pjesë e publikut në këtë shqyrtim gjyqësor, ajo u tërhoq nga ky propozim.
Prokurorja Disha-Haxhosaj tha se po tërhiqet nga dëgjimi i këtij dëshmitari për shkak se ai kishte qenë prezent në sallën e gjykimit derisa janë dëgjuar dëshmitarët tjerë rreth këtij rasti.
Seancat e radhës u caktuan të mbahen me 6 dhe 7 shkurt të vitit 2018.