Politikanë e personalitete kosovare u persekutuan për vite nën akuza të ndryshme, por në fund të proceseve maratonike gjyqësore, të gjithë ata u shpallën të pafajshëm. Gazeta Express ka mbledhur disa gjykime të ish-ministrave, kryetarë komunash e personalitete të tjera që humbën veprimtaritë e tyre vetëm për shkak se ishin të ndjekur penalisht. Të gjithë këta 20 persona, u shpallën në fund të pafajshëm.
Të ndjekur penalisht me vite, ministra, kryetarë komunash, guvernatorë, kryeprokurorë dhe personalitete të tjera, në fund të gjykimeve të tyre, u shpallën të gjithë të pafajshëm. Express shkruan për secilin prej tyre, akuzat që ua ngarkonte Prokuroria dhe në fund shpalljen e pafajësisë së tyre.
I ndjekur nga drejtësia kosovare për shtatëmbëdhjetë muaj, Hashim Rexhepi në vitin 2012 u shpall i pafajshëm nga të gjitha akuzat që e rëndonin atë për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, ushtrimit të ndikimit dhe mashtrimit dhe veprave tjera penale.
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore, tregoi pafajsinë e tij u mbajt më 12 dhjetor 2011. Ai u ndoq nga drejtësia në Kosovë për plotë shtatëmbëdhjetë muaj.
Në vitin 2017, Gjykata Supreme pat vendosur ta lirojë Sami Lushtakut nga të gjithat akuzat për krime lufte, për të cilat ishte dënuar me 12 vite burgim nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës.
Ish-komandanti i zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, në maj të vitit 2015 ishte dënuar me 12 vjet burgim, gjë që u bë në bazë të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur “D”, shkruan Express.
E në nëntor të vitit 2016, Gjykata e Apelit e shpalli atë të pafajshëm për veprën penale “Vrasja e një personi civil të burgosur shqiptar”, me ç’rast i hoqi 12 vjet burg, me të cilat u dënua fillimisht nga Gjykata Themelorë në Mitrovicë.
Por, Gjykata e Apelit, megjithatë, e dënoi Lushtakun me 7 vjet burgim për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, që ndërlidhet me “Përgjegjësinë Komanduese”, nga e cila akuzë ishte liruar më parë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës. Krejt në fund, ai i dha fund procesit maratonik gjyqësor, duke dalë i pafajshëm.
Më shumë se 10 vite duke u përballur me drejtësinë, Fatmir Limaj në fund të të gjitha proceseve gjyqësore, ku u akuzua për vepra të ndryshme penale, u shpall i pafajshëm.
Një vit e pesë muaj pas ngritjes së aktakuzës ndaj Fatmir Limajt për krime lufte, Gjykata Themelore në Gjakovë e shpalli të pafajshëm në lidhje me vrasjet e dy civilëve, Ramiz Hoxhës e Selman Binishit.
Aktakuza e ngarkonte Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.
Prokuroria në aktakuzë pretendonte se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarrë masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.
As rastet “MTPT1” dhe “MTPT2”, nuk dallojnë asgjë prej rasteve të tjera.
Tash në Qeverinë e Ramush Haradinajt, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, u akuzua për korrupsion dhe krim të organizuar për 5 vite, shkruan Express.
Në vitin 2014, rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 u bashkuan me vendim të gjyqtares së atëhershme, kështu duke ngritur një aktakuzë e cila u quajt aktakuzë e konsoliduar.
Sot janë të pafajshëm, por për 5 vite të akuzuar se kanë bërë korrupsion dhe krim të organizuar me shuma marramendëse, Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka. Ky gjykim mori fund më 24 nëntor 2017.
Dikur mbante pozitën e ministrit të shëndetësisë, Bujar Bukoshi, i ndjekur penalisht për korrupsion, në vitin 2013’ë u shpall i pafajshëm, shkruan Gazeta Express.
Një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit e shpalli të pafajshëm nga akuzat për korrupsion, ish-zëvendëskryeministrin e Kosovës, Bujar Bukoshi, që ishte pjesë e një procesi të njohur si rasti i Ministrisë së Shëndetësisë.
Aktakuza kundër Bukoshit, kishte të bënte me periudhën kur ai drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Ish-ministri, gjatë viteve të 90-ta u bë i njohur si kryeministër i qeverisë së shqiptarëve të Kosovës në mërgim, ndërsa pas luftës ai për një periudhë themeloi një parti të re politike, për t’u rikthyer sërish në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Pas zgjedhjeve të vitit 2010, ai u bë pjesë e koalicionit qeverisës të drejtuar nga kryeministri Thaçi dhe deri në publikimin e akuzës mbante postin e njërit nga zv/kryeministrat e vendit. Pak ditë pas shpalljes së akuzës, ai u lirua nga kjo detyrë.
Vetëm pak ditë para se të bëhej shefi i ri i AKI’së, Driton Gashi ishte nën akuzë.
Ai akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Por, brenda pak ditësh para se të ngjitej në pozitën e kryespiunit të vendit, Gjykata Themelore e Prishtinës e hedhi poshtë aktakuzën ndaj tij të ngritur më 30 maj 2016.
Aktakuza e rëndonte Driton Gashin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ramë Buja gjatë kohës sa ishte ministër i Arsimit u akuzua se me qëllim të përfitimit për vete apo për të tjerët, më 11 maj 2012 arritën marrëveshje me kompaninë “Alb-Architect” për vazhdimin e projekteve dhe mbikëqyrjen profesionale të projekteve të iniciuara sipas kontratave bazë të datës 15 maj 2009 dhe aneks-kontratës të datës 16 maj 2011.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja në vitin 2017. Ai u akuzua për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Gjakovës, Pal Lekaj për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, mirëpo këtë aktakuzë e hodhi poshtë Gjykata Themelore e Gjakovës në vitin 2017.
Aktakuzën ndaj Lekajt dhe dy ish-zyrtarëve tjerë të Komunës së Gjakovës, Prokuroria Speciale e kishte ngritur në shkurt të vitit të kaluar, derisa, pas mbajtjes së seancave të shqyrtimit fillestar, shkalla e parë e hodhi poshtë aktakuzën.
Në vitin 2016, Gjykata Themelore në Gjilan ka hedhur poshtë aktakuzën e ngritur më 30 gusht të po atij viti, ndaj kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, Lutfi Haziri në pozitën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit i kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që për vete ose persona tjerë të përfitojnë çfarëdo dobie pasurore, duke shkelur të drejtat e pjesëmarrësve tjerë në ankandin publik. Mirëpo, po atë vit, u shkalla e parë e gjyqësisë i hodhi poshtë këto akuza.
Ndaj kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale, të cilët e ngarkonin Bahtirin me akuza për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.
Mirëpo, në vitin 2017, Gjykata Supreme e Kosovës pat refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin e aktakuzës ndaj Agim Bahtirit dhe të tjerëve për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, shkruan Express.
Si rezultat Gjykata Supreme e ka konsideruar të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë që i shkoi asaj nga Prokuroria Speciale në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për aktakuzën ndaj Agim Bahtirit, Haxhimet Feratit e Gazmend Kelmendit.
Aktakuza ndaj Agim Bahtirit ishte ngritur më 1 mars të vitit të kaluar ndërsa në dhjetor të po atij viti ishte mbajtur seanca fillestare ku ishte deklaruar i pafajshëm.
Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, pasi në tetor të vitit 2015 ishte dënuar me një vit e gjysmë burgim për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Demaku akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e një parcele toke prej 4 hektarësh të cilën komuna e konsideron të vetën, ndërsa Gjykata Supreme e vlerësoi private. Në këtë pronë është ndërtuar një shkollë publike.
Në qershor të 2017’ës, Gjykata e Apelit pat marr aktgjykim me të cilin ka liruar nga aktakuza dy ish-ministrat, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më datën 15 dhjetor 2016, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj dy ish-ministrave Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri dhe dy producentëve, Armond Morina dhe Nehat Fejza, të akuzuar për korrupsion.
Katër të akuzuarit ishin dënuar me nga një vit burgim me kusht, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse të njëjtit nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale për dy viteve tjera.
Prokuroria i ngarkonte dy ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri me veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ngase kishin mbështetur filmat “Mysafir në Sofër” dhe “Ndjekja e Larës”, të producentëve Armond Morina dhe Nehat Fejza. Ndërsa, dy të fundit akuzoheshin për veprën penale “mashtrim në detyrë”. Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve u ngrit në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre nisi në marsin e vitit 2014.
Në vitin 2016, Gjykata Themelore në Gjakovë e pat liruar ish kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ragip Begaj akuzohej se gjatë muajve qershor – gusht të vitit 2014 në cilësinë e personit zyrtar ka shpërdoruar pozitën zyrtare dhe autorizimet e tij, me qëllim që një të dëmtuari t’i shkaktojë dëm, duke ia shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës.
Prokuroria e Shtetit pretendonte se edhe pse i dëmtuari Shemsi Morina kishte kontratë të lidhur me Drejtorinë e Arsimit deri me 01.10.2015 si drejtor i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ganimete Tërbeshi” në fshatin Astrazub, Begaj me dashje dhe me dijeni kishte hapur konkurs pa ia ndërprerë më parë marrëdhënien e punës Morinës, duke e lënë pa vend pune dhe të ardhura për jetën.
Kryetarin e Parteshit, Dragan Nikolic në vitin 2015, Gjykata Themelore në Gjilan e pat liruar nga aktakuza për keqpërdorim të granteve.
Ai ishte akuzuar se në vitin 2012 ka bërë ka keqpërdor besimin e qytetarëve për ndarje të granteve.
Në vitin 2016, ish-kryeprokurorja e Gjakovës, Shpresa Bakija ishte liruar nga akuzat në lidhje me rrjedhjen e mesazheve të dashurisë nga zyrat e prokurorisë së këtij qyteti.
Mesazhet të cilat flisnin për një lidhje dashurie jashtëmartesore më pas ishin shpërndarë tek familjarët e gruas e cila pas zbulimit ishte ndarë nga burri i saj.
Bakija akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe cenim të fshehtësisë së korrespondencës.
Edhe ish-shefin e OSHP’së, Hysni Hoxha, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur të pafajshëm në vitin 2017 për akuzat “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Hoxha kanë qenë të akuzuar për tenderin e ndërtimit të objekteve afariste në lagjen “Pejton” në Prishtinë.
Në vitin 2016, ish-rektori i Universitetit të Prizrenit, Mazllum Baraliu dhe sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni Adem Sallauka janë liruar nga akuza për shpërdorim detyre.
Sipas aktakuzës, Baraliu dhe Sallauka prej muajit tetor 2011 deri në tetor 2013 duke shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe autorizimet e tyre nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i shkaktuar dëm profesorit të Universitetit Enver Sopjani, të cilit ia kishin shkëputur marrëdhënien e punës.
Më 19 maj të 2017’ës, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mungesë të provave ka liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-kryetarin e Komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqin.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, më 8 maj 2015 kundër Mehmet Krasniqit dhe të tjerëve, me pretendimin se veprat penale janë kryer gjatë periudhës kohore 2012-2013, përkatësisht gjatë realizimit të projektit për asfaltimin e disa rrugëve në Komunën e Obiliqit, në të cilën kohë kryetar ishte pikërisht Krasniqi.
Në vitin 2016, ish-kryeshefi Ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Haxha akuzohej se brenda periudhës 2009- 2011 ka keqpërdorur pozitën ngase ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën e qirasë dhe ngarkesave tjera në vlerë prej 2.000 eurosh për çdo muaj, e cila shumë arrin në gjithsej 53.000 euro.
Prokuroria pretendonte se 28 mijë euro nga kjo shumë Haxha i kishte tërhequr në para të gatshme, ndërsa pjesën tjetër prej 25 mijë eurove me anë të xhirollogarisë bankare.
I persekutuar i fundit nga drejtësia kosovare ishte imami Shefqet Krasniqi. Dje, Gjykata Themelore e Prishtinës e shpalli të pafajshëm Krasniqin pasi u ndoq 4 vite për vepra të ndryshme penale, por ky nuk ishte gjykimi i parë që sistemi i drejtësisë në Kosovë tregoi dështimin e saj, shkruan Gazeta Express.
Për katër vite, imami i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqi, u ndoq nga drejtësia, kështu në fund për t’u shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonte Prokuroria.
Shefqet Krasniqi u arrestua në shtator të vitit 2014, gjatë një aksioni të gjerë ku u kapën edhe imamë të tjerë. Atëkohë ai ishte kryeimam i Xhamisë së Madhe në Prishtinë dhe në Fakultetin e Studimeve Islame.
U arrestua nën dyshimin për nxitje të ekstremizmit fetar, përçarjes kombëtare dhe veprimtari të tjera që bien ndesh me sigurinë nacionale dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ngriti aktakuzë për tri vepra penale ndaj tij, shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar dhe për shmangie nga tatimi. Për të gjitha këto, Krasniqi pas 4 viteve u shpall i pafajshëm.
Ndërkohë, sipas, sipas gjetjeve të monitorimit sistematik te IKD-se, rezulton se te gjitha aktakuzat e profilit te larte kanë dështuar si pasojë e mosprofesionalizimit dhe ndikimit politik.
Gazeta Express vitin e kaluar ka publikuar raportin nga Zyra Kombëtare e Auditorit të cilët patën ngritur shqetësim ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë, kështu duke thënë se pushteti i tretë shtetëror mund të shkojë drejt kolapsit.
Auditori lëshoi kritika të shumta ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke thënë se nuk janë treguar efikas për të monitoruar progresin e arritur nëpër Gjykatat e Kosovës./GazetaExpress/