Dështimi i Kosovës në anëtarësimin në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL, ka nxitur qindra qytetarë të vendit kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Të paktën kështu tregojnë rezultatet e një sondazhi të krijuar nga «Gazeta Blic» pas përfundimit të punimeve në Asamblenë e Përgjithshmë të Interpol-it në Dubai, ku i pranishëm ishte edhe delegacioni kosovar.
75% e qytetarëve të anketuar, e kanë parë si opsion të duhur shkuarjën në zgjedhje të parakohshme, pasi që janë pyetur se «çka pas dështimit në INTERPOL?» derisa 25% të anketuarve, janë të mendimit se duhet të vazhdojë punën edhe më tutje qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Në raundin e parë të votimit për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, kanë marrë pjesë 154 vende, prej tyre 76 ishin pro, 56 ishin kundër dhe 22 shtete kanë abstenuar.
Ndërsa në raundin e dytë të votimit 68 vende kanë votuar “pro”, 51 kundër dhe 16 abestenuan, kështu duke mos arritur të siguronte 2/3 e votave të Asamblesë së Përgjithshme për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it.
INTERPOL-i është organizata më e madhe ndërkombëtare për bashkëpunim policor. Në bazë të përshkrimit të detyrave, qëllimi i INTERPOL-it është të ofrojë mbështetje sa më të madhe për institucionet policore të vendeve që janë anëtare në pajtim me ligjet e vendeve përkatëse dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. Ky mekanizëm ka për synim zhvillimin e institucioneve për të parandaluar dhe luftuar në mënyrë efikase veprat penale të shkaktuara nga shkelësit e ligjit.
INTERPOL-i ka katër prioritete strategjike që rrjedhin si rezultat i sfidave të bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Ato përfshijnë: sigurimin e një sistemi të informacionit global policor; mbështetjen e vazhdueshme për institucionet policore të vendeve anëtare në zbatimin e ligjit; ndërtimin e kapaciteteve përmes mbështetjes dhe trajnimeve të ndryshme në fushën e zbatimit të ligjit si dhe mbështetjen në identifikimin e krimeve dhe kriminelëve përmes informacioneve të bazës së të dhënave të INTERPOL-it.INTERPOL-i ka si qëllim luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore e terrorizmit, por që nuk kufizohet vetëm në luftimin e këtyre fenomeneve.
Ndryshe, Kosova fillimisht kishte aplikuar për t’u anëtarësuar në INTERPOL në vitin 2010 dhe ka përsëritur kërkesën pesë vjet më vonë. Në vitin 2017, Kosova pati hequr dorë nga kërkesa për pranim në këtë organizatë, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.



