Qeveria nuk dëshiron të zbulojë, nëse dështimi i tenderit të katërt të EVN Home, është për shkak të mungesës së madhe të energjisë elektrike. Në vend të 12, EMV-ja shtetërore ka përgatitur një ofertë për energji elektrike vendore vetëm për gjashtë muaj, për çka tenderi dështoi dje. Nga Qeveria pretendojnë se kjo ka ndodhur sepse EVN Home u ka kërkuar rrymë për një periudhë kaq të gjatë.
“Marrëveshjet e furnizimit ndërmjet SHA EMV dhe Furnizuesit Universal nuk ishin asnjëherë vjetore. Duke filluar nga viti 2019, kur lindi detyrimi sipas Ligjit për Energjetikë, kontratat e furnizimit lidhen në gjashtë muaj”, kanë thënë nga Qeveria.
Por, nga EVN Home nuk e thonë këtë. Ata pohojnë se në tenderin e katërt kanë qenë të njëjtat kushte si në tre të mëparshmet, përkatësisht kanë kërkuar rrymë për 12 muaj. Nga kjo kompani thanë për Alsat se në tenderët e mëparshëm Qeveria nuk ka pasur vërejtje për përmbajtjen, por thjesht nuk ka pasur një çmim specifik për energjinë elektrike.
“Për vitin e ardhshëm, sipas planeve të EVN Home, ka qenë më e favorshme që sasitë të prokurohen për 12 muaj, në vend të 6 muajve dhe në përputhje me këtë është shpallur edhe Thirrja e fundit Publike. Kjo Thirrje Publike kishte të njëjtat parakushte, që nga shpallja e parë para se të shtyhej apo dështonte”, thonë nga EVN HOME.
Me këtë, është e paqartë pse Qeveria ka bërë ofertë për gjashtë muaj, kur e ka ditur se duhet të bëjë ofertë për tërë vitin? Nga Komisioni Rregullator i Energjetikës e qetësojnë opinionin. Presin që tenderi i radhës të jetë i suksesshëm.
“… Më e rëndësishmja është që EMV do të sigurojë 100 për qind të nevojave të amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël”, u shpreh Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.
Burime nga biznesi energjetik pohojnë për Alsat se edhe pse Qeveria njofton se do të mbulojë 100% nevojat e EVN Home vitin e ardhshëm, tani për tani termocentralet shtetërore nuk janë në gjendje ta dorëzojnë atë./ Alsat.mk