Shqipëria ka shkelur një nga kushtet e Marrëveshjes së Parisit duke mos dërguar planet e përcaktuara në shkallë kombëtare (NDC) për emetimet në Sekretariatin e Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
Bashkë me Shqipërinë, si vendet që kanë shkelur dorëzimin e planeve brenda afateve të caktuara është dhe Serbia. Dy shtetet janë të vetmet në rajon që nuk kanë dërguar kontributet e tyre të përcaktuar. Afati ishte caktuar deri më 30 korrik, mirëpo Shqipëria nuk e kreu detyrën e saj. Kështu raportohet në artikullin e ‘Balkangreenenergynews’.
Patricia Espinosa, sekretare ekzekutive e UUNFCCC, tha se kjo nuk është aspak e kënaqshme dhe se “NDC -të përbëhen nga planet kombëtare të veprimit për klimën që secili vend harton për të adresuar ndryshimet klimatike”.
Raportet kur kombinohen, krijojnë një regjistrim të saktë të veprimit global në ndryshimin e klimës e çdo vend supozohet t’i botojë ato çdo pesë vjet. Espinosa tha se niveli i ambicies së treguar nga nënshkruesit duhet të rritet.
Ajo u bëri thirrje vendeve që nuk ishin në gjendje të përmbushnin afatin për të dyfishuar përpjekjet e tyre dhe për të respektuar angazhimin e tyre sipas Marrëveshjes së Parisit për të rinovuar ose azhurnuar NDC -të e tyre.
“Valët ekstreme të nxehtësisë, thatësira dhe përmbytje në të gjithë globin janë një paralajmërim i tmerrshëm se duhet bërë shumë më tepër, dhe shumë më shpejt, për të ndryshuar rrugën tonë aktuale. Kjo mund të arrihet vetëm përmes NDC -ve më ambicioze, “shtoi ajo.
(a.b)/dosja.al