Deputeti i pavarur Ramiz Kelmendi ka mbajtur para pak çastesh një konferencë për media në oborrin e vilës së tij në Kuçishtë, ku ka njoftuar se takimi i paraparë që të mbahet në këtë vend me liderët politikë për çështjen e demarkacionit ka dështuar, raporton Gazeta Express.
“Si duket takimi i liderëve dështoi, për arsye se disa liderë e kanë konfirmuar se nuk do te vinë në këtë takim . Me keqardhje ju njoftojë se ishte një mundësi e mirë që ky takim të zhvillohet kokë më kokë pa ndërmjetësimin ndërkombëtar, është një mundësi e dështuar , që kjo çështje shumë e rëndësishme të zgjidhet në mënyrë ligjore” ka shtuar ai.
Ramush Haradinaj e ka bërë konfirmimin e parë, pas tij Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Isa Mustafa, por presidenti nuk e ka konfirmuar prezencën e tij, ndërsa Lëvizja e Vetëvendosje ka qenë kategorikisht kundër pjesëmarrjes ka thënë Kelmendi.
“I mbetëm besnik qëndrimin tim të më hershëm, për këtë çështje, vota ime nuk është në favor të pozitës apo opozitës, por me qenë votë që e përmbyllë këtë çështje shumë të rëndësishme. Nuk kisha dasht me pas dëshirë që në vitin 2017 Kosova të kthehet në vitet 99’. Armiqtë e Kosovës janë duke pushuar pasi këtë punë po e kryejmë ne vetë” ka thënë Kelmendi.
Ai ka thënë se e ka befasuar përgjigja e Nismas, përkatësisht Fatmir Limajt, i cili nuk ka pranuar që Presidenti Thaçi të jetë prezent në takim.
I pyetur nëse beson se koalicioni i ka votat për ta kaluar këtë projektligj, ai tha se pozita i ka 90 vota, ajo gjithnjë i ka numrat, këtu nuk është vendimtare a janë numrat, por kjo nuk është çështje votash, është çështje e një rëndësie kombëtare.