Detaje të reja janë mësuar lidhur me aksidentin tragjik me 4 viktima që ndodhi pak para mesnate (19 mars) në Fushë Prezë.
Mësohet se të rinjtë kishin pritur në Rinas, Enejd Laçin (viktimë), i cili kthehej nga Gjermania.
Sapo kanë lënë aeroportin, ata ishin nisur për në banesat e tyre, por fatkeqësish u përfshinë në aksidentin e rëndë që u mori jetën të gjithëve.
NGJARJA
Aksidenti ndodhi rreth orës 23:50 të mbrëmjes së të mërkurës. Viktimat janë identifikuar si 25 vjeçari Enejdi Laçi, 20 vjeçari Erildi Laçi, 24 vjeçari Enrikejd Kurti dhe 22 vjeçari Andi Laçi.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti ku udhëtonin 4 viktimat është përplasur me një betoniere në Fushë-Prezë.
Më pas Benz është përfshirë nga flakët duke u marrë jetën të rinjve që u dogjën brenda mjetit.
Ndërkohë shoferi i betonieres, 24-vjeçari Aleksandër Krrashi, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe u shoqërua më vonë nga policia.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere.
Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç.
Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24 vjeç.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes.