Gazetare: Ajnur Bafqari
Mbi 700 mijë euro kap vlerën droga e llojit marijuhanë e cila ditë më parë u kap në kufirin me Greqinë, vendkalimi kufitar i Bogorodicës. Dy persona janë arrestuar nën dyshimet për trafikim me lëndë narkotike. Policia prej kohësh e ka ndjekur kanalin e transportit dhe ka rezultuar se i njëjti ka funksionuar si grup i organizuar kriminal. Të dyshuarit kryesor janë një shofer kamioni nga Tetova dhe një nga Kumanova.
“Kryerësit e veprës penale, janë dy shoferë, njëri nga Tetova dhe tjetri nga Kumanova. Më 8 shkurt janë futur në Bllacë me kamion, ndërsa më 9 shkurt njëri prej tyre e ka marrë kamionin e njëjtë, nga një vend mes Kumanovës dhe Krivapallankës dhe ka shkuar drejt Bogorodicës. Në pikën kufitare është kryer kontroll i detajuar i kamionit, ku ndërmjet letrës së ricikluar të kompresuar në 4 paleta është gjetur droga marijuhanë”, deklaroi Boban Nikollovski, Drejtor i Doganave.
Drejtori i Policisë, Aleksandar Janev tha se për rastin konkret hetimi është duke u zgjeruar dhe po merren masa operative shtesë për të zbardhur gjithë skemën kriminale.
“Punojmë në mënyrë të koordinuar me kolegët, shkëmbejmë informacione edhe brenda edhe jashtë, do ta zgjerojmë hetimin dhe do të vijojnë edhe aktivitete të tjera edhe në të ardhmen, por në interes të hetimit nuk do të zbuloj detaje”, tha Aleksandar Janev, Drejtor i Byrosë për Siguri Publike të MPB-së.
Kamioni në të cilin u gjet droga kishte për destinacionin Turqinë. Grupi kriminal kishte planifikuar që të njëjtin ta kalonte përmes Greqisë. Policia dhe Dogana ka ardhur deri te dyshimi për aktivitet kriminal falë analizës nga e cila është konstatuar se transporti i letrave për riciklim kushtonte më shumë se vetë profiti nga riciklimi i tyre në Turqi. /Alsat.mk