Detaje të reja janë zbuluar nga krimi në fshatin Kurjan ku dy persona, xhaxha dhe nip, u qëlluan për vdekje me breshëri plumbash pas një sherri mes fëmijëve të viktimave dhe autorit të dyshuar, Altin Kuka.
Ata dyshohet se u qëlluan për vdekje me armë zjarri nga 49-vjeçari Altin Kuka, i cili është shoqëruar në Komisariat.
Viktimat Gramos e Lavdosh Kurti u dërguan në spital, por nuk arritën që t’i mbijetojnë plagëve të marra.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 të mesditës së sotme (10 Shtator) dhe pas krimit autori u vetëdorëzua, ndërsa është sekuestruar edhe arma me të cilën kreu vrasjet.
“Rreth orës 14:00, në fshatin Kurjan, dyshohet se shtetasi A. K., 49 vjeç, ka vrarë me armë zjarri, shtetasit L. K. dhe G. K.
Shtetasi A. K. është shoqëruar në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale.
Arma e zjarrit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit“, njoftoi policia.