Një numër i kolonëve izraelitë u futën me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor sot herët, në vazhdën tensioneve për marshimin e planifikuar të flamurit nga kolonët nëpër qytetin e pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dëshmitarët okularë thanë se policia izraelite ia mësyu oborrit të xhamisë dhe lejoi kolonët të hynin në kompleks përmes portës Al-Mugharbah.
Ligjvënësi i ekstremit të djathtë Itamar BenGvir, një figurë e përfolur opozitare izraelite, dhe një numër i përkrahësve të tij thuhet se ishin mes atyre që u futën në kompleks.
Sipas dëshmitarëve, policia izraelite ndoqi besimtarët palestinezë brenda kompleksit. Një numër besimtarësh thuhet se u arrestuan nga forcat izraelite.
Hyrja e kolonëve në kompleksin Al-Aksa vjen ndërsa kolonët izraelitë planifikojnë të organizojnë një marshim të diskutueshëm flamuri për të shënuar atë që ata e quajnë dita e bashkimit të Kudsit, në lidhje me pushtimin e qytetit nga Izraeli në vitin 1967.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pohuar se aty ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.
Që nga viti 2003, Izraeli ka lejuar kolonët në kompleks pothuajse çdo ditë.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, në një hap që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.