Një incident i dhunshëm është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në një lokal në zonën e “Rrugës Bardhyl” në Tiranë, ku janë sulmuar fizikisht personazhi i rrjeteve sociale Genard Hajdini dhe babai i tij, Paqësor Hajdini.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, kur disa persona të paidentifikuar i janë afruar të dyve me pretendimin se “bënin zhurmë në lokal” dhe i kanë dhunuar.
Vetë Genardi, i shfaqur me sy të nxirë dhe hundë të fashuar nga Spitali i Traumës, ka treguar në një video të publikuar në rrjetet sociale se është goditur pasi kishte ndërhyrë për të ndalur konfliktin mes autorëve dhe babait të tij. “Na rrahu njëri. Ishte si Muji dhe Halili. I ra babës me grusht, kur shkova unë, më ra dhe mua. Padi direkte në komisariat”, tha ai.
Policia ka marrë kallëzimet e para dhe është duke hetuar për identifikimin e autorëve.







